Gjykata në Prishtinë dënon me 6 vjet burg Hysri Selimin për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit për spiunazh, Hysri Selimi, duke e dënuar me 6 vjet burgim.

Vendimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Leon Përlaska, në përbërje edhe me anëtarët Medie Bytyqi dhe Kushtrim Shyti.

Selimi, i cili më parë ka qenë i dënuar edhe për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS, u shpall fajtor për veprën penale “Spiunazh”. Dënimi me 6 vjet burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata gjithashtu e obligoi të paguajë 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Ndaj tij është vazhduar masa e paraburgimit. Ai nuk ishte i pranishëm në shpalljen e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 9 shtator 2025, Selimi akuzohej se nga nëntori 2009 deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, si i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), ka mbledhur dhe dërguar informacione të ndjeshme për veprimtarinë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, luftën në Siri dhe persona të radikalizuar.

Në aktakuzë thuhet se në vitin 2015 ai kishte udhëtuar drejt Sirisë përmes aeroportit të Stambollit, ndërsa fillimisht ishte bashkuar me organizatën ISIS dhe më pas kishte vazhduar komunikimin me zyrtarë të BIA-s, të cilëve u kishte dërguar informacione mbi strukturat dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në konflikt.

Prokuroria pretendon se pas kthimit në Kosovë, Selimi ka vazhduar kontaktet me zyrtarë të BIA-s në Serbi, duke i informuar për persona të radikalizuar dhe zhvillimet e rrymave fetare ekstreme, ndërsa për këto shërbime është paguar deri në 700 euro në muaj dhe është pajisur me mjete komunikimi.

Sipas aktakuzës, me këto veprime ai ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke ndihmuar edhe në krijimin e narrativave të dëmshme ndaj shtetësisë së vendit. Selimi akuzohej për veprën penale “Spiunazh” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.