Tyson Fury rikthehet në SHBA pas gati pesë vjetësh, takon Donald Trump-in në UFC Freedom 250
‘Ylli’ britanik i boksit, Tyson Fury, u rikthye në Shtetet e Bashkuara për herë të parë pas gati pesë vjetësh, duke qenë një nga figurat më të spikatura të eventit spektakolar UFC Freedom 250, i organizuar në oborrin e White House.
“Gypsy King”, 37 vjeç, tërhoqi menjëherë vëmendjen me hyrjen e tij madhështore. Fury u shfaq me një kostum të zi dhe të verdhë, ndërsa mbante një kapelë ku shkruhej “Donald Trump for Prime Minister”. Ai hyri në arenë nën tingujt e këngës “Sex on Fire”, duke u përshëndetur nga tifozët e pranishëm.
Gjatë mbrëmjes, Fury pati mundësinë të takohej me Donald Trump-in, presidentin e UFC-së, Dana White, dhe themeluesin e Meta-s, Mark Zuckerberg. Katër personalitetet realizuan një fotografi së bashku, të cilën Fury e publikoi më vonë në rrjetet sociale me mbishkrimin: “Foto fuqie. Nuk nevojiten fjalë”.
Kjo është vizita e parë e Fury-t në SHBA që nga fitorja e tij me nokaut ndaj Deontay Wilder në tetor të vitit 2021. Në një video të publikuar pas mbërritjes, britaniku u shpreh i emocionuar për rikthimin.
“Kanë kaluar pesë vjet e gjysmë që kur nokautova Deontay Wilder-in dhe tani jam kthyer. Era e lirisë ndihet në ajër”, deklaroi Fury.
Boksieri falënderoi gjithashtu Turki Alalshikh për organizimin e rikthimit të tij në Amerikë. Nga ana e tij, Alalshikh paralajmëroi në rrjetet sociale se së shpejti do të ketë një njoftim të madh lidhur me duelin e shumëpritur mes Fury-t dhe Anthony Joshua-s.
Edhe vetë Fury la të kuptohet se diçka e rëndësishme po përgatitet. Nga Uashingtoni ai deklaroi se do t’ia linte Dana White-it detyrën për të bërë një “njoftim gjigant”, pa zbuluar më shumë detaje.
Sipas raportimeve, përballja e madhe mes Tyson Fury-t dhe Anthony Joshua-s pritet të zhvillohet në fund të këtij viti, ndërsa para saj Fury mund të zhvillojë një duel përgatitor në Irlandë më 1 gusht. Kjo e bën rikthimin e tij në SHBA edhe më domethënës, pasi duket se “Gypsy King” po përgatitet për një kapitull të ri në karrierën e tij.