Mashtronte të huajt me premtime për studime jashtë vendit, dërgohet në gjyq administratori i një kompanie
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin A.Th., i akuzuar për veprën penale të “Mashtrimit”, kryer më shumë se një herë.
Sipas organit të akuzës, nga hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 1751 të vitit 2024, rezulton se i pandehuri, në cilësinë e administratorit të një shoqërie tregtare që ushtronte aktivitet në fushën e trajnimeve dhe ndërmjetësimit për studime jashtë vendit, dyshohet se ka mashtruar në mënyrë të përsëritur disa shtetas të huaj.
Hetimet kanë dokumentuar se personat e dëmtuar kanë kryer pagesa për procedura aplikimi dhe programe studimi jashtë Shqipërisë, bazuar në premtimet e bëra nga kompania. Megjithatë, sipas Prokurorisë, shërbimet e premtuara nuk janë ofruar ose janë realizuar vetëm pjesërisht, duke u shkaktuar atyre dëm ekonomik.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka vendosur dërgimin e çështjes për gjykim, ku do të shqyrtohen provat dhe pretendimet ndaj të pandehurit A.Th. për akuzën e mashtrimit të përsëritur.