Rama i lëshon Helenën deputetes që u distancua: Na jep mandatin….

Largimi i deputetes Marjana Koçeku nga radhët e Partisë Socialiste ishte si një rrufe në qiell të hapur, në një kohë kur socialistët po përballen me presionin e madh të protestës së dhjetëra mijëra qytetarëve.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ajo tha se do të jetë deputete e pavarur, duke shtuar se idealet dhe vlerat e saj janë ato që i ka patur para se të bashkohej me PS-në.

“Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, shkruan ajo.

Por, të menjëhershme kanë qenë edhe reagimet e socialistëve, dhe të parët që kanë reaguar janë dy personazhe që njihen për lavdet që i ngrenë kryetarit të tyre Edi Rama.

E para është Helena Kaçe, të cilën në vitin 2024 Rama e prezantoi në Kongresin e PS-së dhe i tha se një ditë mund të jetë udhëheqësja e PS-së. Kaçe nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale i ka kërkuar Koçekut të lërë mandatin, pasi nuk mund të mbajë karrigen në të cilën është e votuar prej socialistëve.

“Pavarësia e vërtetë nuk nis duke dorëzuar teserën e duke mbajtur karrigen. Nis duke dorëzuar mandatin. Nëse idealet e tua nuk përkojnë më me atë shtëpi politike, hapi më parimor është t’ua kthesh mandatin atyre që të besuan”, shkruan Kaçe, teksa i uron suksese Koçekut në rrugëtimin e saj politik si e pavarur”, shkruan Kaçe.

Ndërkohë, një tjetër reagim ka ardhur nga Alfred Muharremi, që pak muaj më parë deklaronte me krenari se do të ishte “dele” për sa kohë do të ishte pjesë e Partisë Socialiste.

Edhe sipas tij, Marjana Koçeku duht të dorëzojë teserën dhe mandatin e deputetes, pasi mandatin e ka marrë nën siglën e Partisë Socialiste, dhe tashmë duhet ta kthejë.

“E vlerësoj vendimin e znj. Koçeku për t’iu bashkuar një kauze që sot ka zgjedhur ta quajë edhe të sajën.

Megjithatë, është e vështirë të mos vëresh se të gjitha ato kauza që sot i zbulon me pasion kanë qenë aty edhe dje, edhe pardje, madje edhe ditën kur ajo pranoi të bëhej pjesë e Partia Socialiste e Shqipërisë si deputete e sigurt në një nga zonat më të vështira politike të PS [🌹] .

Kur kauzat kërkonin betejë parlamentare, ajo kishte e ka mandat, zë, karton dhe mikrofon.

Sot, pasi ka shijuar privilegjet e përfaqësimit, zgjedh të largohet duke u sjellë sikur sapo ka zbuluar realitetin.

Nëse beson se nuk përfaqëson më Partinë Socialiste, atëherë akti politik nuk mbaron te dorëzimi i teserës (që nuk e di nëse e ka) por tek dorëzimin e mandatit.

Mandati nuk është valixhe personale që merret me vete sa herë ndryshon destinacioni apo mendimet e adoleshencës politike.

Ai është besim i dhënë nga një komunitet, nga një ekip dhe nga një forcë politike si Shkodra ku socialistët aty kanë bërë beteja që ajo të jetë në Kuvend.

Ndaj e dashur Marian, suksese paç, por dorëzo mandatin!

Të tjerat pastaj, do të fluturojnë si flamingot.

Disa drejt horizontit, disa drejt kamerave.

Koha do të tregojë se ku do të ulen.

#VetëmPërpara me PS [🌹]  për Shqipërin Europiane|, shkruan Muharremi./ditar.al/