Plot 12 vite nga goli i fundit i Italisë në Botëror, Balotelli mbetet kujtimi më i ‘freskët’ i kaltër

15 qershori 2026 shënon një përvjetor të hidhur për futbollin italian. Kanë kaluar saktësisht 12 vite nga goli i fundit i Italisë në një fazë finale të Kupës së Botës, një statistikë që tregon periudhën e vështirë të përfaqësueses ‘axurre’ në arenën më të madhe të futbollit.

Goli i fundit i Italisë në Botëror u realizua nga Mario Balotelli, më 15 qershor 2014, në ndeshjen kundër Anglisë në Botërorin e Brazilit. Sulmuesi italian shënoi me kokë pas një asistimi të Antonio Candreva-s, duke i dhënë Italisë fitoren 2-1 në stadiumin ‘Arena da Amazônia’ të Manausit.

Në atë moment askush nuk mund ta imagjinonte se ai gol do të mbetej i fundit për Italinë në një Kupë Bote për më shumë se një dekadë.

Pas suksesit ndaj Anglisë, ‘axurrët’ u mposhtën 1-0 nga Kosta Rika dhe 1-0 nga Uruguai, rezultate që sollën eliminimin e hershëm nga Botërori 2014. Më pas situata u bë edhe më e rëndë, pasi Italia nuk arriti të kualifikohej në tri edicione radhazi të Kupës së Botës: në vitet 2018, 2022 dhe 2026.

Kjo do të thotë se goli i Balotellit kundër Anglisë mbetet ende goli i fundit i Italisë në një Botëror, një fakt i pabesueshëm për një kombëtare katër herë kampione e botës.