De la Fuente qetëson Spanjën: Yamal është në gjendje perfekte, por nuk do të jetë titullar
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka dhënë lajme pozitive për gjendjen e Lamine Yamal një ditë para ndeshjes së parë të Botërorit 2026 kundër Kepit të Gjelbër
Gjatë konferencës për shtyp, tekniku spanjoll siguroi se talenti i Barcelonës është në kushte shumë të mira fizike dhe mund të zbresë në fushë, edhe pse nuk do ta nisë takimin nga minuta e parë.
“Po ndjekim udhëzimet e të gjithë mjekëve, si të Barcelonës ashtu edhe të Kombëtares. Ai është në gjendje perfekte për të luajtur nesër. Jo për 90 minuta, por për një kohë loje që ende nuk është përcaktuar. Të gjithë janë dakord me vendimin që do të marrim. Ai nuk do të jetë titullar, më pas do të shohim se si do të shkojë ndeshja”, deklaroi De la Fuente.
Këto fjalë largojnë dyshimet për gjendjen e Yamalit, i cili konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Spanjës në këtë Botëror. Stafi teknik nuk dëshiron të rrezikojë me aktivizimin e tij të plotë që në ndeshjen e parë, duke preferuar ta menaxhojë me kujdes ngarkesën fizike.
Spanja do të nisë rrugëtimin e saj në Kupën e Botës ndaj Kepit të Gjelbër, me synimin për të marrë tri pikët dhe për ta filluar në mënyrën më të mirë turneun, ndërsa tifozët presin të shohin në aksion edhe Lamine Yamalin, qoftë edhe nga stoli.