Marrëveshja SHBA-Iran, reagon BE: Mund të hapë rrugën për negociata të reja

Marrëveshja kornizë e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka sjellë reagime pozitive nga Bashkimi Evropian, i cili e sheh zhvillimin si një mundësi për uljen e tensioneve dhe vazhdimin e dialogut diplomatik.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se pret fundin e konfliktit të kushtueshëm dhe theksoi se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes mjeteve paqësore.

Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cilësoi marrëveshjen si një “përparim të mundshëm”.

Sipas saj, ky hap mund të krijojë hapësirën e nevojshme për negociata më të thella mes palëve dhe të ndihmojë në arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë.

Kallas shtoi se ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë mënyrat se si BE-ja mund të përfshihet më ngushtë në fazat e ardhshme të procesit diplomatik.