Policia vret gabimisht një fëmijë australian në Pakistanin lindor
Një vajzë australiane ka humbur jetën pasi u qëllua gabimisht nga policia në provincën Punjab të Pakistanit, në një incident që ka nxitur thirrje për një hetim të plotë dhe transparent nga autoritetet australiane.
Sipas Policisë së Punjabit, oficerët po i përgjigjeshin një grabitjeje kur u përfshinë në shkëmbim zjarri me persona të dyshuar që mbanin nën kërcënimin e armës anëtarët e një familjeje. Gjatë operacionit, një polic dyshoi gabimisht se autorët po largoheshin me automjetin e familjes dhe hapi zjarr.
Si pasojë, humbi jetën Hania, vajza e familjes, ndërsa babai dhe vëllai i saj mbetën të plagosur. Autoritetet pakistaneze e kanë përshkruar ngjarjen si një gabim tragjik.
Policia njoftoi se oficeri i përfshirë është arrestuar dhe është lënë në paraburgim pas paraqitjes para gjykatës. Ndërkohë, është hapur një hetim për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.
Mediat australiane raportojnë se familja, me banim në Perth të Australisë, ndodhej në Pakistan për të vizituar të afërmit kur ndodhi ngjarja.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, kërkoi transparencë të plotë dhe një hetim të duhur mbi rastin, duke e cilësuar ngjarjen si jashtëzakonisht të rëndë.
Ministria e Jashtme e Australisë konfirmoi se po ofron ndihmë konsullore për familjen e viktimës dhe të plagosurve.
Në një deklaratë, Policia e Punjabit shprehu keqardhje për tragjedinë, duke theksuar se nuk ka asnjë justifikim për devijimin nga protokollet e saj operative dhe se drejtësia duhet të vihet në vend.