Momente prekëse në Botëror, trajneri i Curaçaos shpërthen në lot para ndeshjes me Gjermaninë

Botërori 2026 dhuroi një moment shumë emocional para sfidës mes Curaçaos dhe Gjermanisë. Trajneri i përfaqësueses së Curaçaos, Dick Advocaat, u filmua nga kamerat teksa fshinte lotët pak çaste përpara fillimit të ndeshjes.

Tekniku 78-vjeçar, i cili mban statusin e trajnerit më të moshuar në historinë e Kupës së Botës, nuk arriti t’i mbante emocionet në stol. Pamjet e tij u përhapën shpejt në mediet ndërkombëtare dhe prekën tifozët e futbollit në mbarë botën.

Sipas raportimeve, holandezi ishte larguar nga drejtimi i Curaçaos pak para fillimit të Botërorit për t’u kujdesur për vajzën e tij të sëmurë. Megjithatë, ai vendosi të rikthehej në krye të skuadrës kombëtare për këtë turne të madh, një vendim që e bëri edhe më emocional praninë e tij në pankinë.

Pavarësisht këtij momenti prekës, ndeshja rezultoi shumë e vështirë për Curaçaon. Gjermania dominoi plotësisht takimin dhe arriti një fitore të thellë me rezultatin 7-1, duke dhënë një sinjal të fortë në Botërorin 2026.

Megjithatë, përtej rezultatit, një nga imazhet më të forta të ditës mbeti ai i Dick Advocaatit me lot në sy, një skenë që tregoi anën njerëzore të futbollit dhe sakrificat personale që shpesh fshihen pas pankinave të ekipeve kombëtare.

“Nuk është turp të humbasësh 7-1 ndaj një skuadre gjermane shumë më të fortë“, tha trajneri i Curaçao-s, Dick Advocaat, duke komentuar rezultatin e ndeshjes, e cila ishte debutimi i ekipit kombëtar në Kupën e Botës.

“Të pësosh një rezultat të tillë nuk është turp kundër një skuadre të tillë. Kjo skuadër kombëtare vlen 850 milionë euro dhe Curaçao 25 ​​milionë euro“, shtoi holandezi 78-vjeçar në konferencën për shtyp.