Bregu i Fildishtë godet në minutën e 90-të, Ekuadori pëson humbjen e parë pas 19 ndeshjesh
Bregu i Fildishtë ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në Grupin E të Botërorit 2026, duke mposhtur Ekuadorin me rezultatin minimal 1-0 falë një goli të shënuar në minutën e fundit të kohës së rregullt.
Takimi i zhvilluar në Filadelfia ishte i ekuilibruar dhe me raste nga të dyja skuadrat. Ekuadori ishte më i rrezikshëm në pjesën e parë, duke goditur dy herë traversën. Fillimisht ishte John Yeboah ai që iu afrua golit, ndërsa më pas Alan Minda pa përpjekjen e tij të ndalej nga shtylla horizontale.
Amerikano-jugorët kontrolluan për periudha të gjata mesfushën, por nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës. Nga ana tjetër, afrikanët u rritën gradualisht gjatë ndeshjes dhe në pjesën e dytë iu afruan avantazhit me Elye Wahi, i cili gjithashtu goditi traversën.
Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi pa gola, Bregu i Fildishtë gjeti momentin vendimtar në minutën e 90-të. Wilfried Singo shërbeu një asist të saktë për Amad Diallo-n dhe talenti i Manchester United kontrolloi topin përpara se të lëshonte një goditje të fortë me të majtën nga jashtë zone, duke mposhtur portierin Hernán Galíndez.
Goli i Diallos i dha tri pikë të arta Bregut të Fildishtë, që barazohet me Gjermaninë në krye të Grupit E. Ndërkohë, Ekuadorit iu ndërpre një seri mbresëlënëse prej 19 ndeshjesh radhazi pa humbje, duke pësuar një goditje të rëndë në garën për kualifikim.