Suedia shpërthen në Botëror, i shënon pesë gola Tunizisë dhe merr kreun e grupit

Suedia ka dhuruar një nga paraqitjet më bindëse të ditëve të para të Botërorit 2026, duke mposhtur Tunizinë me rezultatin e thellë 5-1 në ndeshjen e Grupit F, të zhvilluar në Monterrey.

Skuadra e drejtuar nga Graham Potter e nisi vrullshëm takimin dhe kaloi në avantazh që në minutën e 7-të. Yasin Ayari përfitoi nga një keqkuptim në mbrojtjen tuniziane dhe me një goditje të fuqishme nga jashtë zone realizoi për 1-0. Mesfushori me origjinë tuniziane zgjodhi të mos festonte golin për respekt ndaj rrënjëve të tij.

Dominimi suedez vazhdoi edhe më tej dhe në minutën e 30-të Alexander Isak dyfishoi shifrat pas një kundërsulmi të shpejtë, duke e dërguar topin në rrjetë për 2-0. Tunizia reagoi pak para pushimit, kur Omar Rekik shënoi me kokë në minutën e 43-të pas një asistimi të Hannibal Mejbrit, duke ngushtuar diferencën në 2-1.

Megjithatë, pjesa e dytë ishte plotësisht në kontrollin e suedezëve. Në minutën e 59-të, pas një gabimi të Ellyes Skhirit pranë zonës, Viktor Gyökeres përfitoi dhe realizoi golin e tretë. Në minutën e 84-t Mattias Svanberg shënoi për 4-1, gol i cili u konfirmua edhe nga VAR-i.

Në sekondat e fundit të takimit, Ayari kompletoi paraqitjen e tij fantastike duke realizuar golin e dytë personal me një tjetër goditje të bukur nga distanca, duke vulosur fitoren e thellë 5-1.

Me këtë sukses, Suedia merr e vetme kryesimin e Grupit F dhe dërgon një sinjal të fortë për rivalët në garën për kualifikimin në fazën me eliminim direkt.