Sulmet ruse vrasin nëntë persona në Ukrainë dhe dëmtojnë katedralen historike
Nëntë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një valë sulmesh ruse në Ukrainë, gjatë të cilave një monument i rëndësishëm fetar në Kiev u përfshi nga flakët, thonë raportet.
Katër persona u vranë në sulmet ndaj Kievit, ndërsa pesë punonjës të ekipeve të shpëtimit vdiqën duke u përpjekur të shuanin një zjarr të shkaktuar nga një sulm rus në qytetin verilindor të Kharkivit, thanë zyrtarët ukrainas.
Katedralja e Fjetjes së Krishtit e shekullit të 11-të u dëmtua ndjeshëm në atë që kryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko e quajti një "sulm brutal ndaj popullit dhe trashëgimisë sonë".
Ndërkohë, një sulm me dron ukrainas në qytetin rus të Tulës, në jug të Moskës, vrau tre persona dhe plagosi tre të tjerë, përfshirë një fëmijë njëvjeçar, thanë zyrtarët.
Sulmet me dronë dhe raketa u vunë flakën ndërtesave dhe makinave dhe lanë më shumë se 140,000 njerëz në kryeqytetin e Ukrainës pa energji elektrike, tha kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko. Pjesa më e madhe e Ukrainës ishte nën paralajmërime për sulme ajrore të hënën.
Sulmet në Kiev, të cilat shënjestruan disa ndërtesa banimi, lanë të paktën 23 persona të plagosur, ndërsa pesë të tjerë u plagosën në Kharkiv.
"Ne do të iniciojmë urgjentisht të gjitha procedurat përkatëse brenda UNESCO-s dhe të gjithë mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, duke kërkuar përgjigje të menjëhershme dhe adekuate ndaj këtij barbarizmi shtetëror", tha ministri i punëve të jashtme i Ukrainës, Andrii Sybiha, në një deklaratë për X, duke iu referuar Katedrales në manastirin Kiev Pechersk Lavra.
Fqinji i Ukrainës, Polonia, tha se avionët e saj luftarakë u ngritën në ajër dhe i vendosën sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore në gatishmëri, në një përgjigje “parandaluese” ndaj sulmeve ruse në Kiev.
Sulmet vijnë përpara një takimi të G7 këtë javë në Francë, ku lufta në Ukrainë është në axhendë.
Të dielën, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensy, tha se kishte folur me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, rreth përpjekjeve për t'i dhënë fund konfliktit të gjatë.
Presidenti rus Vladimir Putin nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022./ BBC