Pushteti i korrupsionit dhe propagandës po shembet, e mbi të Shqipëria reale po ngrihet
Nga Luçiano Boçi
Kjo nuk është thjesht një deklaratë politike pompoze.
Është përshkrimi më i saktë i këtij momenti historik që po ndodh para syve tanë.
Sepse vjen një kohë kur propaganda nuk mjafton më, kur ekranet refuzohen së zbukuruari të vërtetën.
Ka një moment kur batuta e pushtetit nuk shkakton më të qeshura, por neveri.
Sikurse ka një çast kur qytetari e kupton se pas dekorit të madh nuk ka më shtet, por grabitje, nuk ka reforma, ka kapje, nuk ka zhvillim ka ndarje plaçke.
Dhe ky çast ka ardhur.
Për vite me radhë, shqiptarëve iu shit një Shqipëri televizive. Një Shqipëri fasadash, studiosh, kronikash të porositura, inaugurimesh me regji, shiritash të prerë disa herë dhe premtimesh të ricikluara me emra impresionuesë.
Rama me të tijtë deshën t’i bindnin shqiptarët se varfëria është perceptim.
Iu thanë se shpopullimi është lëvizje normale.
Iu ulëritën në sy se korrupsioni ishte reformë.
Donin t’i mbushnin mendjen se kapja e institucioneve ishte modernizim.
Heshtjen ia shitën si stabilitet.
Frikën ia imponuan si qetësi.
Por Shqipëria reale nuk banon ne studiot e pushtetit as edenin banal të zyrës së Ramës.
Banon në shtëpitë e thjeshta ku prindërit numërojnë qindarkat për të mbyllur muajin.
Banon në fshatrat e braktisura.
Në shkollat me klasa bosh. Në spitalet ku qytetari paguan keqtrajtimin, aeroportet ku ikin të rinjtë e qytetet ku mbetet vetëm malli ankthndjellës i atyre që janë larguar.
Kjo është Shqipëria reale.
Dhe ajo sot është ngritur.
Është ngritur kundër një pushteti që e ka kthyer shtetin në pronë private me tela me gjemba. Kundër një qeverie që ligjin e përdor si vegël, institucionin si zhvatës votash, administratën si ushtri partie dhe paranë publike si arka e oborrit.
Ky pushtet nuk po bie papritur.
Ai u kalb ngadalë, nga brenda. U kalb sepse qytetarin e zëvendësoi klienti, meritën e zëvendësoi lidhja, tenderin e pasurinë publike e morën të njëjtët emra, të njëjtat duar, të njëjtat hije.
Pushteti i propagandës po shembet sepse gënjeshtra ka një kufi. Mund të mashtrosh për ca kohë. Mund të blesh zëra, të trembësh media, të prodhosh sondazhe, të shpikësh armiq, të sajosh suksese.
Por nuk mund t’i mbushësh frigoriferin e qytetarit me regji televizive, as t’ia kthesh fëmijët nga emigracioni me batuta.
Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se problemi nuk është një gabim qeverisjeje.
Problemi është modeli.
Një model që ushqehet me korrupsion, mbrohet me propagandë dhe mbahet në këmbë me arrogancë.
Prandaj protesta nuk është vetëm kundërshtim. Është ringritje morale.
Është kthimi i qytetarit në skenë. Është refuzimi i një Shqipërie ku pakica pasurohet në mënyrë të turpshme, ndërsa shumica shtyhet të mbijetojë, ose të largohet.
Prandaj sot Shqipëria reale nuk kërkon më shfaqje. Kërkon llogari, drejtësi, shtet. Jo qeveri që tallet me qytetarin, por qeveri që i shërben atij.
Dhe fundi i çdo pushteti të korruptuar nis kur njerëzit nuk kanë më frikë ta thonë të vërtetën me zë të lartë.
Rënia e këtij pushteti nuk është vetëm çështje datash, skemash apo kalkulimesh politike.
Është çështje besimi të humbur.
Sado të rreket Rama pushteti i tij ka humbur besimin.
Mund të mbajë ende zyrat, rojet, kamerat, patronazhistët, zhurmën dhe dekorin, por nuk mban dot më vendin.
Sepse vendi i përket njerëzve.
Pushteti i korrupsionit dhe propagandës po shembet. Jo vetëm sepse këte e thotë opozita, apo se e duan kundërshtarët e tij.
Por sepse sot këtë e kërkon çdo qytetar që ka parë shumë, ka duruar shumë dhe tani ka vendosur të mos heshtë më.
E mbi rrënojat e kësaj gënjeshtre po ngrihet Shqipëria reale.
Shqipëria e drejtë, e dinjitetit, e qytetarëve, jo e klientëve.
Dhe kur Shqipëria reale ngrihet, asnjë pushtet propagande nuk e mban dot më në këmbë regjimin.
Shqipëria që nuk blihet, nuk trembet dhe nuk përdoret.
Protestat po e dëshmojnë këtë!