'Nga Tirana në diasporë, bashkë kundër qeverisë'/ Dasho: Populli shqiptar ka arritur pikën e ngopjes me zullumin e Ramës
Mjeku Erjon Dasho, në një intervistë për Edvin Parrucën në SYRI TV, deklaroi se protestat dhe reagimet e fundit qytetare tregojnë se shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, kanë arritur “pikën e ngopjes” pas 13 vitesh qeverisjeje.
Sipas tij, pakënaqësia nuk lidhet vetëm me çështje të veçanta, por me grumbullimin e problemeve, skandaleve dhe perceptimit për korrupsion. Dasho tha se kjo po reflektohet si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, e cila vijon të mbetet e lidhur ngushtë me zhvillimet në vend.
Ai u ndal edhe te emigracioni, duke theksuar se shumë shqiptarë janë larguar vitet e fundit pavarësisht përparimeve që kishte bërë vendi në integrimin euroatlantik. Sipas Dashos, diaspora dëshiron të kontribuojë në proceset demokratike dhe ndjek nga afër situatën politike në Shqipëri.
Në intervistë, ai kritikoi gjithashtu sistemin e patronazhistëve, përdorimin e të dhënave personale dhe praktikat zgjedhore, duke i krahasuar ato me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian ku jetojnë shumë emigrantë shqiptarë.
Dasho:
Për herë të parë kemi një bashkim të të gjithë shoqërisë shqiptare, kudo që ndodhet, qoftë në Shqipëri, qoftë në vende të tjera të botës, sidomos edhe në diasporë, sepse është ajo që thonë arabët, një proverb arab thotë: "Kur e ngarkuan devenë më shumë se ç'mbante, u desh vetëm një fije kashte më vonë që t'i thyente shpinën". Pra, populli shqiptar pas 13 viteve skandale, hajdutëri, aleancë me narkotrafikun, kur Shqipëria u shpopullua dhe më shumë se 1.2 milionë shqiptarë janë dëbuar nga vendi, kur ka një qeveri që nuk mendon në asnjë moment për të mirën, për zhvillimin, për shëndetësinë, për arsimin e këtij populli, por mendon vetëm për t'i larguar ata me qëllim që të ketë mundësi të zhvillojë aferat e veta korruptive sa më e qetë që të jetë e mundur...
Pra, në këto 13 vjet, populli më në fund arriti pika e ngopjes dhe unë gjykoj se më tepër se protesta ndaj një projekti të caktuar, i cili në letër mund të jetë edhe pozitiv për Shqipërinë, është një tejngopje e shoqërisë shqiptare, qoftë në Shqipëri, qoftë në diasporë, me zullumin e këtij kryeministri. Është një kryeministër i cili ka personat më të afërt të vet, ose në burg, ose që kanë kryer burg, ose në arrati, ose i mbron me çdo kusht përballë drejtësisë siç ndodhi me ish-zëvendëskryeministrin Balluku. Pra, kemi një situatë ku populli e ka parë qartë hajdutërinë, ku hajdutëria tashmë është e provuar, nuk është më e dyshuar, nuk janë më akuzat e opozitës, por janë prova që i japin organet e drejtësisë, që për të qenë të ndershëm deri diku kanë qenë edhe nën influencën e qeverisë, pra tregon që zullumi është trashur aq shumë sa edhe kjo drejtësi e cila deri tani ka qenë nën hyqmin e qeverisë e ka të pamundur të mbyllë sytë dhe është duke marrë masa të cilat shkojnë direkt kundër kësaj qeverie. Në këto kushte gjykoj, ka arritur pika e ngopjes dhe këtë po e shohim sot edhe në rrugët e Tiranës por edhe në rrugët e qyteteve dhe kryeqyteteve të tjera evropiane.
Po, të mos harrojmë se sot shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Evropës janë të ndarë në dy grupe, të cilat janë edhe të dallueshme qartë këtu. Janë shqiptarët të cilët u larguan pas rënies së komunizmit, shqiptarët të cilët e kishin në një farë mënyre ëndërr të jetonin në një shoqëri të lirë dhe demokratike dhe sapo ra komunizmi, këta iu drejtuan menjëherë me një grupim relativisht më i vogël ju drejtuan ambasadave, një grupim akoma më i madh iu drejtua anijeve drejt Italisë dhe pastaj patëm eksodin masiv të viteve '90. Pra këta janë shqiptarët të cilët u larguan në një kohë kur Shqipëria nuk kishte se çfarë t'u ofronte.
Vala e dytë e emigrimit fatkeqësisht erdhi dhe nisi pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës dhe Rilindjes. Ishte koha kur Shqipëria nuk ishte më në atë situatë dëshpëruese të vitit 1990-1991. Ishte koha kur Shqipëria në sajë edhe të qeverisjes së Partisë Demokratike kishte hyrë në NATO, ishin hequr vizat, pra Shqipëria ishte bërë në një farë mënyre pjesë e Evropës, ndonëse jo pjesë e Bashkimit Evropian, dhe të gjithë shqiptarët kishin filluar ta shihnin Shqipërinë si vendin ku mund të ngrinin jetën e tyre dhe ku mund të jetonin me familjet e tyre. Unë nuk harroj shprehjen e një mikut tim i cili përdor shprehjen, është rrëqethëse, përdor shprehjen "lisa të shkulur". Pra thotë, ne që kemi ardhur në emigracion, jemi si lisa të shkulur.
Pra si persona të cilët rrënjët, kujtimet, ndjenjat, lidhjen shpirtërore e kanë më të fortë me Shqipërinë sesa me vendin se ku jetojnë dhe punojnë. Dhe kjo ndodh për të gjithë dhe unë mund të ndaj dhe ndjesitë e mia dhe përjetimet e mia personale. Pra unë ndonëse jam i integruar prej vitesh në Gjermani, sot bota e lidhur të krijon mundësinë që të jesh në çdo kohë në kontakt me Shqipërinë. Unë kur hap të shoh lajmet në mëngjes ose kur kam kohë të lirë kur jam duke udhëtuar me tren për në punë, në radhë të parë shoh lajmet e Shqipërisë dhe pastaj shoh se çfarë ndodh në Gjermani.
Pra lidhja ime shpirtërore, lidhja ime emocionale është me Shqipërinë para se të jetë me Gjermaninë dhe besoj se kjo është situata dhe për shumë shqiptarë të tjerë që jetojnë dhe punojnë në vende të tjera të jashtë vendit. Kjo është edhe arsyeja sepse pamë gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar një votim që unë do ta quaja masiv të diasporës i cili fatkeqësisht u manipulua në mënyrën më skandaloze të mundshme dhe pamë ato rezultate që pamë. Por shqiptarët e diasporës donin dhe deshën të merrnin pjesë në votime, duan sërish të marrin pjesë në votime të shprehin vullnetin e tyre, sepse siç e shihni dhe siç e shohin miqtë, familjarët, të afërmit tanë në Shqipëri, ne realisht i ndjekim dhe jetojmë me shqetësimet dhe me problemet e Shqipërisë dhe duam të kontribuojmë në to, brenda atij gjykimi, brenda atij konfigurimi demokratik që na ka ndodhur dhe që është zhvilluar në vendet ku jetojmë dhe punojmë tashmë.
Për ne është e papranueshme që jetojmë në Gjermani, në Itali, në vende të tjera të Bashkimit Evropian që kur ka zgjedhje të ketë një ushtri patronazhistësh. Në çdo vend të Bashkimit Evropian po të ishte partia që do të kishte një ushtri të tillë patronazhistësh do të dilte jashtë ligjit. Është e ndaluar në Gjermani që një parti politike të ketë të dhënat e mia personale. Kjo parti mund të marrë gjoba marramendëse deri në nxjerrje jashtë ligjit në qoftë se ruan të dhëna identifikuese dhe të dhëna personale të qytetarëve gjermanë. Ndërkohë që kemi patronazhistët në Shqipëri që kanë databaza të hollësishme mbi numrin e kartës sime të identitetit, mbi numrin tim të telefonit, mbi adresën time, të dhëna të cilat më përkasin mua dhe janë të dhëna të shenjta për çdo qytetar evropian, ndërsa në Shqipëri këto të dhëna i shfrytëzojnë patronazhistët për të manipuluar votën dhe për të orientuar votën.
Nuk mund ta konceptojmë ne shqiptarët që jetojmë jashtë Shqipërisë se si në vitin 2025 pati një investim nga ana e qeverisë në ato pensionet, pra pensionistëve ju dhanë shpërblimet pikërisht në muajin zgjedhor. Një e pakonceptueshme në Evropë. Është e pakonceptueshme në Evropë që një qeveri të përflitet për këto lidhje me krimin e organizuar dhe me narkotrafikun që po i dalin përditë qeverisë shqiptare.