Ukraina merr përgjegjësinë: Bombarduam një objekt rus të naftës 700 kilometra larg kufirit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se merr përgjegjësinë për operacionin e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) që bombardoi një objekt nafte të rëndësishëm për rezervat e Rusisë, i cili ndodhet më shumë se 700 kilometra nga kufiri ukrainas në rajonin e Jarosllavit.
Zelensky postoi një video në mediat sociale që tregon, në disa korniza, një re të madhe tymi të zi, ndërsa aeroplanë dhe ndoshta dronë kamikazë fluturojnë drejt saj.
SBU-ja saktësoi se sulmi u krye nga qendra e operacioneve speciale Alfa në qytetin e Rybinskut.
"Baza e synuar e naftës është pjesë e sistemit rezervë rus dhe përdoret për të ruajtur benzinë, naftë dhe lëndë djegëse e lubrifikante të tjera. Nga këtu, Rusia furnizon me produkte nafte rajonet e saj verilindore dhe mban rezerva strategjike karburanti për ushtrinë", tha SBU."Pas sulmit me dron të SBU-së , një zjarr i madh shpërtheu në bazën e naftës. Të paktën tre zjarre të mëdha u raportuan në parkun e tankeve, i cili ka më shumë se 60 tanke magazinimi", raportoi shërbimi i inteligjencës së Ukrainës në mediat sociale.
Guvernatori i rajonit, Mihail Yevrayev, paralajmëroi këtë mëngjes se një sulm i madh ukrainas me dronë është duke u zhvilluar.
Shumica e dronëve u rrëzuan, por disa goditën depo industriale të karburantit. Shërbimet e specializuara po shuajnë aktualisht zjarret. Nuk ka viktima”, tha Jevrayev.