Komuniteti i Mirditës në mbrojtje të murgeshave, peticion për vazhdimin e misionit
Syri TV
Për më shumë se dy dekada, 3 murgeshat e kongregatës “Motrat e Dashurisë së Shenjtës Xhovana Antida Thouret”, i kanë dhënë gjallëri zonës së Rubikut dhe kanë ndihmuar qindra familje e persona në nevojë, por misioni i tyre pritet të përfundojë në muajin shtator.
Vendimi për ndërprerjen e misionit të tyre po kundërshtohet nga komuniteti mirditor. Prej disa ditësh, banorët kanë nisur firmosjen e një peticioni me qëllim sensibilizimin e strukturave vendimmarrëse për të lejuar vazhdimin e shërbimit të motrave në Rubik
Sipas banorëve, institucioni social i drejtuar nga murgeshat ka bërë më shumë se pushteti për komunitetin, duke sjellë shpresë dhe mbështetje për shumë njerëz. Kontributi i tyre ka qenë i dukshëm në edukimin dhe argëtimin e fëmijëve, si dhe në ndihmën ndaj të moshuarve dhe familjeve në vështirësi ekonomike.
Në harkun kohor të pak ditëve janë mbledhur rreth 1 mijë firma. Peticioni do t’u dërgohet strukturave vendimmarrëse të klerit katolik në Itali dhe Francë, me kërkesën që misioni i “Motrave të Dashurisë” në Rubik të vijojë edhe pas muajit shtator.