Libri, Berisha: Tatarella reformator i të djathtës italiane dhe avokat i Shqipërisë në Europë
Libri “E djathta drejt së ardhmes” i politikanit italian Pinuccio Tatarella, një prej figurave më të rëndësishme të transformimit të së djathtës italiane, u promovua në Tiranë. Në aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e vlerësoi Tatarellën si një mik të shqiptarëve dhe arkitekt të së djathtës fituese italiane, bashkë me Silvio Berlusconin.
Syri TV
Në Tiranë u promovua këtë të dielë libri i Pinuccio Tatarellës, politikanit italian që u bë një nga figurat kyçe në transformimin e të djathtës italiane pas Luftës së Dytë Botërore. I pranishëm ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili në fjalën e tij e cilësoi Pinuccio Tatarellën si një reformator të madh që u bë avokat i Shqipërisë.
Dua të falënderoj nga zemra mikun tonë Tatarella, i cili vendosi të prezantojë në Shqipëri, në Tiranë, një libër kushtuar reformatorit të madh, një italiani të madh, të pavdekshmit Pinuccio Tatarella. Kam pasur rastin ta njoh dhe ta takoj shumë herë Pinuccio Tatarellën. Që në fillim kam vënë re respektin e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët. Do t’i mbetem përherë mirënjohës, sepse me zërin e tij në qeverinë italiane, në Itali, por edhe në Parlamentin Europian, Pinuccio Tatarella ishte një avokat i shqiptarëve, i Shqipërisë dhe i programit të Partisë Demokratike.
Lideri i opozitës theksoi se Tatarella, i cili mbajti rolin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit në qeverinë e parë të Berlusconit, së bashku me të u bënë arkitektë të qendrës së djathtë fituese në Itali.
Ky libër përfaqëson një pjesë të punës së madhe që Pinuccio Tatarella bëri për të reformuar jo vetëm një parti të djathtë në Itali, por të gjithë qendrën e djathtë dhe skenën politike italiane pas rënies së Murit të Berlinit. Hyrja e Silvio Berlusconit në skenën politike italiane dhe gjenialiteti reformues i Pinuccio Tatarellës arritën të krijonin një qendër të djathtë fituese, një lokomotivë të vërtetë të përparimit të Italisë dhe të Europës.
Massimo Adilardi, kryetar i degës së Fratelli d’Italia në Shqipëri, u shpreh se Tatarella njihej si “Ministër i Harmonisë”, sepse ndërtonte ura dhe nuk ngrinte mure, ndërsa nipi i tij, Fabrizio Tatarella, kujtoi se si u zbulua libri me dorëshkrimet e tij të pabotuara.
"Unë jam shumë i nderuar të jem këtu. Ky libër i ka sjellë fat Giorgia Melonit dhe i ka sjellë fat sot Sali Berishës. Sepse unë nuk kisha qenë kurrë në Shqipëri, kam ardhur sot për të sjellë këtë libër të shkruar dhe të pabotuar nga xhaxhai im, Pinuccio Tatarella, dhe rastësisht e solla pikërisht sot, në ditën e duhur.
Dhe ndoshta, sipas meje, është një shenjë që Pinuccio ka dashur t’i dërgojë mikut të tij, sepse ajo që ndodhi sot, që i dha fund nga ana e Shteteve të Bashkuara konsiderimit të Sali Berishës si person i padëshiruar, do të thotë se Saliu kishte pësuar një padrejtësi.
Fakti që unë mbërrita pikërisht këtu sot, në herën time të parë në Shqipëri, dhe solla, brenda thonjëzave, fat, ose më mirë, Pinuccio Tatarella nga lart do t’i ketë sjellë fat Sali Berishës, është dëshmia se kjo dashuri dhe kjo marrëdhënie vazhdojnë edhe në dimensione të tjera, edhe nga lart'