Revolucioni i shqiptarëve, jo i pseudo-organizatorëve!
Nga Romir Saraçi
Kohët e fundit lloj-lloj individësh që shfaqen në ekrane e rrjete si organizatorë protestash. Shumë të tjerë, pasi thonë fjalën e tyre në mikrofonin e protestës qytetare, renditen në lista intelektualësh që duhet të udhëheqin revolucionin! Disa i marrin seriozisht këto pseudolista, e disa të tjerë, për shkak të të qenurit në listë, tentojnë t’i amplifikojnë.
Si këta të ekraneve, ashtu edhe shumë prej atyre të listave, që u janë bashkëngjitur emrave vërtet me vlerë dhe organizatorëve realë të inicimit të kësaj proteste, kanë një qëllim: shkatërrimin e kësaj proteste.
Organizator i asaj proteste është çdo qytetar që, bashkë me hallet e tij, ka dalë në bulevard dhe i ka rënë kryq e tërthor Tiranës. Është çdo fëmijë, i ri, burrë, grua, gjyshe e gjysh që, mbase për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, gjeti guximin të dalë dhe të protestojë. Nuk janë organizatorë as ata të PD-së, as patronazhistët e Edi Ramës, e aq më pak ata të Qorrit, Lapajt apo Shehajt.
Duhet pasur parasysh se çdo tentativë për ngritjen e një shtabi organizatorësh, gjoja intelektualësh, është një tentativë e qartë për përçarjen e frymës qytetare. Askush nuk del aty për tjetrin, por secili po del për veten, për familjen e tij, për të ardhmen e tij.
Ndryshe nga protestat partiake, kjo protestë përmbledh në vetvete një mijë e një kauza, shumë prej tyre bashkuese. Kurrsesi ata dhjetëra mijëra qytetarë nuk dalin aty për askënd nga të vetëshpallurit organizatorë. Ndaj, siç nuk dolën për askënd nga ata “organizatorë”, ashtu nuk kanë nevojë për asnjërin prej tyre që t’i udhëheqë.
Por kjo tentativë e imponimit të organizatorëve është një tentativë e pastër përçarëse. I pari që e ka nisur me evidentimin, intimidimin, ofendimin dhe përndjekjen e protestuesve është Edi Rama. Që ditën e parë, Edi Rama nisi me evidentimin e çdo personazhi publik që mbështeti protestën dhe e intimidoi, por sërish nuk i eci. Madje, e kundërta: kjo sjellje zgjoi edhe më shumë nervin e shqiptarëve.
Ndaj, caktimi i emrave të posaçëm që qëndrojnë pas protestës është një tentativë e qartë e Edi Ramës për të përdorur më pas, si çdo herë tjetër, të gjitha mjetet për të kapur fillimisht organizatorët e më pas për të vrarë protestën.
Qytetarët kërkojnë mbrojtjen e atdheut, mbrojtjen e çdo pëllëmbe toke të Shqipërisë, mbrojtjen e çdo qindarke të vjedhur nga xhepat e tyre. Protestojnë kundër çdo pushteti e politikani që, pasi merr votat e tyre, e konsideron Shqipërinë si çifligun personal. Kërkojnë t’i japin fund mentalitetit 35-vjeçar të të bërit politikë dhe të qeverisurit. Kërkojnë një politikë dhe qeverisje të punësuar prej tyre dhe në shërbim të tyre.
E kjo protestë po e arrin më së miri këtë qëllim. Nuk kërkojnë të heqin një dhe të vënë një tjetër, qoftë ky edhe nga radhët e protestuesve.
Ndaj, siç është realisht, organizator i Revolucionit Shqiptar është çdo qytetar që ka dalë në atë shesh dhe nesër do t’u tregojë fëmijëve se Shqipëria shpëtoi edhe falë tij!