Nga Nata e Kristaltë te Marshimi mbi Romë, ku do të ndalojnë krahasimet e çmendura të Ramës
Nga Genc Burimi
Në ditën e parë të protestës së tyre kundër KM Edi Rama, ai i cilësoi shqiptarët si nazistë. Në ditën e 15-të si fashistë. Kjo gjuhë e rrezikshme dhe pa asnjë fre e një kryeministri kundër bashkëkombësve të tij ka vetëm një kualifikim, është gjuhë terroriste.
Ku pa ai rini shqiptare me kryq hitlerian të marrin zvarrë hebrenj në bulevardin e Tiranës dhe të thyejnë vitrina si në Natën e Kristaltë? Po dje, ku pa ai këmisha të zeza dhe siluetën qerose të një Musolini të eksitonte turmën si një Duçe për të marrë zvarrë Ramën dhe ministrat e tij?
Përballë këtyre simptomave të rrezikshme për gjendjen mendore të Kryeministrit, Parlamenti duhet të urdhërojë që ai t'i nënshtrohet një kontrolli të rreptë mjekësor psikiatrik.
Nuk është normale që pas filmave me gjermanë, Rama ngatërron tani ekskursionet paqësore në Tiranë me marshimet fashiste në Romë. Kur shikon sesi në podkastin e fundit Rama iu referua 4-5 herë metodave fashiste për të stigmatizuar sjelljen më qytetare të një proteste që është parë ndonjëherë në Europën demokratike, ai s'duhet parë nga një psikiatër, ai duhet mbyllur menjëherë në karantinë.
"Fryma fashiste është kur nuk do të dish fare dhe, patjetër që, kjo është një komponentë shumë e rrezikshme e protestës", tha publikisht Kryeministri dhe pa asnjë tabu të nesërmen e ditës së 14-të të protestës.
Një shkarje e re e rëndë që mund t'i aplikohet vetë atij me fjalët: shkalla përfundimtare e marrëzisë është kur nuk do të dish fare për idetë e zeza dhe ekstreme që nxjerr nga goja dhe, patjetër që, kjo është një komponentë shumë e rrezikshme e gjendjes mendore në të cilën ndodhet aktualisht Kryeministri i Shqipërisë.
Në vend që të reflektojë e të pranojë dorëheqjen, ai ka vendosur të insistojë te rruga e manipulimeve të padenja të fakteve më të frikshme historike, thjesht se nuk do ta besojë që njerëz të thjeshtë, ashtu si dhe ata më të shkolluarit, nuk duan më vazhdimin e qeverisjes aktuale.
Ta thuash këtë me fjalime në mes të agorasë, plot dashuri për vendin dhe po me aq neveri për Kryeministrin, nuk je fashist, por thellësisht demokrat në respektin maksimal të atij sistemi ku pushteti buron nga populli për popullin.