SYRI TV/ 14 Qershori, dita botërore e dhurimit të gjakut, Alushi: Duhen rreth 60 mijë qeska gjaku
Në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut, Shqipëria përballet me sfidën e sigurimit të gjakut. Vendi ynë ka nevojë për rreth 60 mijë qeska gjaku, por vetëm gjysma e tyre arrin të sigurohet. Personat me talasemi e sëmundje të tjera, ata që kryejnë operacione apo të aksidentuarit kanë nevojë më së shumti për t’u furnizuar me gjak. Kryqi i Kuq Shqiptar bën thirrje për dhurime vullnetare duke theksuar rëndësinë jetike të vazhdimësisë për dhurime për të shpëtuar jetë.
Syri tv
14 qershori, Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut e gjen Shqipërinë në vështirësi për plotësimin e nevojave me gjak. Edhe pse dhuruesit vullnetarë janë të pranishëm, sërish numri i tyre nuk arrin të plotësojë nevojat. Presidenti i Kryqit të Kuq shqiptar, Ylli Alushi, pohoi se në vendin tonë nevojiten rreth 60 mijë qeska gjaku, por vetëm gjysma e tyre arrin të sigurohet.
Personat me talasemi e sëmundje të tjera, ata që kryejnë operacione apo të aksidentuarit kanë nevojë më së shumti për t’u furnizuar me gjak. Veçanërisht gjatë stinës së verës rriten nevojat për gjak, për shkak edhe të shtimit të aksidenteve.
Mes personave që dhuruan gjak vullnetarisht, ishin edhe përfaqësues të ambasadave të huaja, të cilët prej vitesh janë bërë pjesë e kësaj fushate ndërgjegjësimi.
“E kemi filluar ketë iniciative qe ne 2018, ky është viti i 8 qe ambasada spanjolle është pjesë e organizimeve te kryqit te kuq për dhurimin e gjakut. Është një gjest shumë i rëndësishëm, përmes se cilit shpëtohen jetë dhe qëllimi jonë është pikërisht ky: të nxisim njerëzit të vijnë sa më shumë për të dhuruar gjak.”
Sëmundjet e ndryshme, fatkeqësitë natyrore, dhe ato të shkaktuara nga njeriu, krijojnë nevojë për furnizim me gjak, ndaj mjekët dhe stafi i Kryqit të Kuq, bëjnë thirrje për të dhuruar sa më shumë gjak, për të shpëtuar jetë në rrezik.