'E djathta drejt së ardhmes – itinerari i një kthese' promovohet vepra e Pinuccio Tatarellës, i pranishëm dhe Berisha
Në Tiranë u promovua sot libri “La Destra Verso il Futuro: Itinerario di una svolta” - Shqip:E djathta drejt së ardhmes – itinerari i një kthese - vepër e Pinuccio Tatarella, organizuar nga Fondazione Tatarella.
Në takimin që po zhvillohet në Sallën “Çesk Zadeja”, Universiteti i Arteve, Tiranë marrin pjesë Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, Fabrizio Tatarella, nënkryetar i Fondacionit Tatarella dhe doktor Massimiliano Adilardi, kryetar i degës së Fratelli d’Italia në Shqipëri.
Në fjalën e tij Massimiliano Adilardi, kryetar i degës së Fratelli d’Italia në Shqipëri kujtoi figurën e Pinuccio Tatarellës, i njohur në Itali si “Ministri i Harmonisë”, për shkak të aftësisë së tij për të ndërtuar ura dialogu dhe për të krijuar konsensus politik. Tatarella konsiderohet një nga strategët më të rëndësishëm të së djathtës italiane, pasi arriti të realizonte atë që nuk ishte bërë që prej vitit 1948: ta çonte të djathtën italiane në qeverisje.
Fjala e Adilardit
Ky është aktiviteti ynë i dytë brenda pak muajsh dhe do të ketë edhe të tjerë menjëherë pas verës. Në aktivitetin e parë kishim të ftuar Italo Bocchino-n, ndërsa sot kemi nderin të kemi mes nesh si presidentin Sali Berisha, me të cilin u krijua menjëherë një mirëkuptim dhe afërsi e madhe. Për mua është një nder ta kem pranë.
Kemi gjithashtu nënkryetarin e Fondacionit Tatarella. Do të doja të filloja duke ju treguar shkurtimisht se kush ishte Pinuccio Tatarella. Më pas Fabrizio do të mund të ndajë me ne më shumë detaje dhe episode të veçanta, pasi e ka njohur dhe përjetuar nga afër figurën e tij.
Tatarella njihej si “Ministri i Harmonisë”. Pse? Sepse ai ndërtonte ura dhe nuk ngrinte mure. Ishte një njeri me aftësi të jashtëzakonshme, një strateg politik i vërtetë. Ai arriti të bënte diçka që askush nuk kishte mundur ta realizonte që nga viti 1948: ta çonte të djathtën italiane në qeveri.
Natyrisht, kjo ndodhi edhe falë Silvio Berlusconit, gjë që nuk duhet harruar, sepse ai kontribuoi në normalizimin e së djathtës italiane. Por falë Pinuccio Tatarellës dhe Gianfranco Finit ndodhi kthesa e Fiuggi-t në vitin 1995. Fabrizio do të jetë më i saktë në detaje, por fakti është se Tatarella arriti ta sillte të djathtën në qeverisje dhe të ndryshonte perceptimin që ekzistonte për të.
Ai arriti të fuste vlerat e së djathtës brenda një koalicioni qeverisës, ndërsa më parë e djathta ishte gjithmonë e margjinalizuar.
Por ajo që është më interesante është mënyra se si e bëri këtë. Tatarella e bëri duke krijuar harmoni, duke dialoguar me njerëzit. Kjo është diçka që sot mungon shumë, jo vetëm në Itali, por edhe në Europë. E nëse shohim botën, me luftërat që na rrethojnë dhe që ndodhen shumë afër nesh, kemi edhe më shumë nevojë për njerëz si Pinuccio Tatarella.
Na duhen njerëz që ndërtojnë ura dhe jo mure. Të ndërtosh një projekt paqeje dhe të gjesh zgjidhje është gjithmonë më e vështira, veçanërisht në politikë.
Ne, si Itali, sjellim këtu në Shqipëri përvojën tonë të katër viteve të qeverisjes. Nuk ka qenë e lehtë të qeverisësh vendin, por mendoj se Pinuccio Tatarella do të ishte i lumtur të ishte sot mes nesh dhe të shihte se kryeministrja aktuale e Italisë është një personalitet i së djathtës, Giorgia Meloni.
Kjo do të ishte pa dyshim kurorëzimi i një ëndrre për të. Jemi të lumtur që, së bashku me Fabrizion, mund të flasim për këtë libër, i cili ka një parathënie të shkruar nga Giorgia Meloni. Kjo përbën një mbështetje të fortë nga partia jonë dhe për ne është një nder i madh.
Më pas Fabrizio do të na tregojë se si u zbulua ky libër i pabotuar më parë i Pinuccio Tatarellës.
Ju uroj një dëgjim të këndshëm dhe ia lë fjalën moderatores. Më pas do të kemi mundësi të shkëmbejmë mendime dhe përshtypje.
Dy fjale per librin
Libri “E djathta drejt së ardhmes – itinerari i një kthese” përmbledh reflektime, artikuj dhe ndërhyrje të Pinuccio Tatarellës kushtuar procesit të transformimit të së djathtës italiane nga fundi i viteve ’80 deri në fillimin e viteve ’90.
Vepra përshkruan rrugëtimin përmes të cilit e djathta italiane kërkoi të rinovohej, duke kapërcyer përplasjet ideologjike të së kaluarës për t’u shndërruar në një forcë moderne, demokratike dhe europiane, të aftë për të marrë përgjegjësi qeverisëse.
Tatarella propozon një vizion politik të mbështetur në respektin për institucionet, pjesëmarrjen demokratike, lirinë, ndjenjën e shtetit dhe vlerësimin e identitetit kombëtar brenda kontekstit europian.
Ky libër përfaqëson një dëshmi të rëndësishme për të kuptuar evolucionin e qendrës së djathtë italiane dhe rolin që Tatarella pati në krijimin e një kulture të re politike të orientuar drejt dialogut, përgjegjësisë dhe së ardhmes.
Mesazhi qendror i veprës është se një e djathtë moderne duhet të dijë të ruajë vlerat dhe identitetin e saj, por në të njëjtën kohë të shohë përpara, duke përballuar me guxim dhe pragmatizëm sfidat e shoqërisë bashkëkohore.