Cubarsí flet për Messin: Është idhulli im, por do të jap gjithçka për ta ndalur

Mbrojtësi i ri i Spanjës, Pau Cubarsí e ka pranuar se përballja e mundshme me Lionel Messin në Kupën e Botës 2026 do ta ketë një domethënie të veçantë për të, pasi argjentinasi ka qenë gjithmonë idhulli i tij në futboll.

Futbollisti i Barcelonës deklaroi se është rritur duke e admiruar magjinë e Messit dhe duke i ndjekur paraqitjet e tij me fanellën “Blaugrana”.

Megjithatë, ai theksoi se nëse do ta ketë përballë në fushë, emocionet do të lihen mënjanë.

“Messi ka qenë gjithmonë idhulli im. Kam kaluar shumë vite duke e parë dhe duke mësuar nga ai. Por nëse do të luaj kundër tij, do të bëj gjithçka për ta ndalur”, u shpreh Cubarsí.

Mbrojtësi 19-vjeçar konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit spanjoll dhe një nga shtyllat e reja të kombëtares.

Paraqitjet e tij me Barcelonën dhe Spanjën e kanë tërhequr vëmendjen e opinionit sportiv ndërkombëtar.

Spanja do ta nisë rrugëtimin në Botërorin 2026 më 15 qershor kundër Kepit të Gjelbër, ndërsa Argjentina debuton një ditë më vonë ndaj Algjerisë.

Një duel mes dy kombëtareve do të ishte i mundur vetëm në fazat eliminatore të turneut.

Cubarsí nënvizoi se përballja me futbollistë si Messi është një mundësi e madhe për çdo lojtar të ri që dëshiron ta matë nivelin e tij me më të mirët në histori.

Megjithatë, ai insistoi se fokusi i tij aktual mbetet te objektivat e Spanjës dhe te nisja sa më e mirë e Kupës së Botës.

Për momentin, admirimi për legjendën argjentinase mbetet i pandryshuar, por nëse rrugët e tyre kryqëzohen në Botëror, Cubarsí është i gatshëm t’i lërë mënjanë emocionet dhe të luftojë për fanellën e Spanjës.