I kërkuar prej 12 vitesh nga Italia për trafik droge, kushëriri i ish-ministrit Tahiri shijonte detin në Borsh

 Moisi Habilaj, kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm të qeverisë Rama, Saimir Tahiri I shpallur në kërkim prej 12 vitesh dhe një ndër emrat më të përfolur është arrestuar në një lokal në fshatin e mirënjohur turistik, Borsh të Vlorës.

Policia publikoi dhe pamje të arrestimit të tij ndërsa informon se gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Emri i Moisi Habilajt është i lidhur prej kohësh me rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës me shtrirje në Siçili, ndërsa ai mbetet i njohur publikisht edhe për lidhjen familjare me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili vuajti më pak se tre vite burg, pas dënimit.

Njoftimi i policise

Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar "Metodat", për kapjen e një personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Kapet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar nga autoritetet italiane me mbi 12 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit për zbulimin dhe lokalizimin e një personi shumë të kërkuar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, u bë i mundur lokalizimi në një lokal në Borsh, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë.

Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.