Rriten rastet me Ebola në Kongo, OBSH paralajmëron për përhapje në zona të reja

Autoritetet në Republikën Demokratike të Kongos, njoftuan se numri i rasteve të konfirmuara me Ebola ka arritur në 710, pas regjistrimit të 21 rasteve të reja gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani 149 persona kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes, ndërsa autoritetet shëndetësore po vijojnë përpjekjet për të kufizuar përhapjen e virusit.

Një ditë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos po vazhdon të zgjerohet, me rritje të numrit të rasteve dhe përhapje të infeksionit në zona të reja gjeografike.

OBSH theksoi se reagimi ndaj epidemisë mbetet veçanërisht i vështirë për shkak të dobësive të sistemit shëndetësor dhe sfidave të sigurisë në vend.

Megjithatë, organizata vuri në dukje se autoritetet kongoleze kanë përvojë të konsiderueshme në menaxhimin e shpërthimeve të Ebolës, sidomos në rajonet që po preken aktualisht.

Ebola është një sëmundje virale shumë e rrezikshme që transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të personave të infektuar. Shpërthimet e mëparshme në Republikën Demokratike të Kongos kanë shkaktuar mijëra viktima, duke e bërë vendin një nga zonat më të prekura nga kjo sëmundje në botë.

Autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa përpjekjet për identifikimin e rasteve, gjurmimin e kontakteve dhe vaksinimin në zonat e prekura vazhdojnë me intensitet.