Marshimi në Tiranë - Pamje të jashtëzakonshme, njerëz me karroca dhe foshnje mbushin bulevardin për të rrëzuar qeverinë

Protestat kundër qeverisë në kryeqytet kanë arritur kulmin e tyre në ditën e 14-të, duke shënuar tubimin më masiv të organizuar deri më tani. Kjo valë e dytë e protestave kombëtare ka bashkuar qytetarë të panumërt, jo vetëm banorë të Tiranës dhe qyteteve të tjera, por edhe një numër masiv emigrantësh. Në një ditë simbolike për diasporën, shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë zgjedhur të kthehen në atdhe jo thjesht për të pushuar, por për t'iu bashkuar kauzës që kërkon largimin e kryeministrit.

Ajo që bie në sy dhe e bën këtë manifestim të pazakontë është pjesëmarrja masive e qytetarëve nga të gjitha kategoritë shoqërore. Rrugët nga sheshi Skënderbej, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit e deri te bulevardi Zhan D'Ark, janë populluar me të rinj, familjarë, por edhe persona me aftësi të kufizuara që lëvizin me karroca dhe paterica. Mes turmës ka pasur gjithashtu prindër që marshojnë me foshnjat e tyre vetëm pak javësh në karroca, duke sfiduar vapën dhe lodhjen për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisjes.

Pavarësisht fjalimeve të mbajtura përgjatë bulevardit, zëri i altoparlantëve është shuar nga përmasat e jashtëzakonshme të turmës dhe nga thirrjet e pandërprera në kor "Rama ik".

Gazetari i Syri tv sjell atmosferën e këtij manifestimi madhështor

Arnold Kariqi Duket se nuk janë ndalur shqiptarët për të protestuar në të gjithë vendet ku ata jetojnë dhe kur sheh se ka aq shumë shqiptarë nëpër botë, atëherë e kuptojmë se sa shumë kanë ikur nga ky vend.

Fatjon Gjinaj: Patjetër. Kemi thënë dhe e kemi përmendur, theksuar vazhdimisht, një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare që është emigrimi. Por me sa duket sot, në ditën simbolike të diasporës, shumë prej tyre, emigrantëve, janë kthyer këtë verë ndoshta jo vetëm për të pushuar në vendin e tyre ndaj të cilit kanë qenë besnikë gjithë kohën, por edhe për të kërkuar diçka që sipas tyre është demokratike dhe është totalisht legjitime: largimin e qeverisë, largimin e kryeministrit Edi Rama. Arnold, është një thirrje e vazhdueshme, e përsëritur. Duket sikur, më lejoni ta them ndoshta mund të mos jetë dhe shumë etike, duket sikur ky popull, këta njerëz, këta të rinj, këta prindër që dalin me fëmijët e tyre nuk kanë më veshë për të dëgjuar kryeministrin. Nuk kanë më sy për ta parë çdo aktivitet të tij, ku edhe përvjetorin e Partisë Socialiste e ktheu në një manifest të kundërshtimeve të kërkesave të protestuesve. Ata kanë vetëm një artikulim dhe me sa duket prandaj i kanë mbyllur veshët, prandaj i kanë mbyllur sytë, deri sipas tyre, në largimin e kryeministrit dhe qeverisë së drejtuar prej 14 vitesh nga Edi Rama.

...Do të shohim se cili do të jetë pozicionimi dhe vendimi i fundit që ata do të marrin, sa i takon itinerarit që do të ndjekin. "Rama ik, Rama ik" janë thirrjet që dëgjohen në kor. Janë të vazhdueshme, nuk kanë të ndalur në asnjë moment. Është e pamundur që të ketë një moment qetësie. Ka patur një simbolikë kjo protestë. Grumbullohen në sheshin Skënderbej, më pas zhvendosen në bulevardin Dëshmorët e Kombit, e pavarësisht se mbahen disa fjalime aty, pothuajse pjesa dërrmuese e protestuesve nuk dëgjojnë asgjë çfarë ndodh, përveçse thirrjeve për largimin e qeverisë. Sepse zëri i altoparlantëve nuk shkon dot deri në fundin e protestuesve, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme, siç e theksova, duke qenë larg fonisë nuk dëgjojnë asgjë.

Arnold Kariqi: Është interesante Fatjon sepse po shohim, shohim edhe qytetarë Fatjon me karroca, shohim njerëz që nuk ndalen përveç asaj që ti përmende, të rinj, familjarë. Ka njerëz me paterica, njerëz që nuk i lëshon fare dhe janë pamje të jashtëzakonshme këto.

Fatjon Gjinaj: Patjetër, janë njerëz me aftësi ndryshe, kanë ardhur me karroca. Janë njerëz që kanë ardhur me foshnje, vetëm disa javëshe apo disa muajshe, me karroca bebesh duke i shtyrë. Ka qenë një protestë totalisht paqësore, totalisht e qetë, asnjë incident më i vogli nuk ka ndodhur për 14 ditë. Jemi në hyrje të Bulevardit Gjergj Fishta në drejtim të zonës së Ali Demit, ku në këtë aks ndodhet edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ka herë pas here ndalime të protestuesve duke pritur pjesën tjetër, ndërkohë që ajo nuk mbaron. Sinjalizohemi që ende pjesa fundore mund të jetë e pambërritur tek bashkia, tek Bashkia e Tiranës

Arnold Kariqi: Tek Hotel Dajti janë akoma Fatjon...

Fatjon Gjinaj: Patjetër. Është protesta më e madhe e mbajtur në këto 14 ditë. E dyta kombëtare. E 14-ta në radhë. Startoi te Drejtoria e Policisë së Tiranës, drejtoria vendore. Nisi si një protestë e cila kishte revoltë për veprimet policore dhe të policisë private që kishte rrethuar zonën e Zvërnecit. U kthye në një kërkesë kundër projekteve dhe tashmë jemi në fazën kur kërkohet në mënyrë të padiskutueshme, sipas protestuesve, largimi i qeverisë. Kjo është kryefjala e protestuesve dhe folësve....