Mancini largohet nga Al Sadd, rikthimi te Italia gjithnjë e më pranë

E ardhmja e Roberto Mancinit duket se do të lidhet sërish me stolin e Italisë. Trajneri italian ka mbyllur zyrtarisht aventurën e tij me Al Sadd, duke i hapur rrugën një rikthimi të mundshëm te “Azzurrët”.

Largimi i Mancinit është konfirmuar nga vetë klubi nga Katari përmes një videomesazhi të trajnerit, në të cilin ai falënderoi tifozët, drejtuesit dhe futbollistët për bashkëpunimin gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës.

Sipas raportimeve në Itali, ish-trajneri i Interit, Lazios dhe kombëtares italiane ka dhënë tashmë gatishmërinë e plotë për t’u rikthyer në drejtimin e Italisë, duke pritur vetëm dritën jeshile nga Federata Italiane e Futbollit.

Megjithatë, çdo vendim zyrtar pritet të merret pas 22 qershorit, datë kur do të zhvillohen zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës Italiane. Favoriti kryesor për këtë post konsiderohet Giovanni Malagò.

Vetëm pas përcaktimit të kreut të ri të federatës mund të finalizohet marrëveshja me trajnerin e ardhshëm të kombëtares, por sipas medieve italiane, rikthimi i Mancinit në stolin e Italisë po bëhet gjithnjë e më i mundshëm.

Në mesazhin e tij të lamtumirës, Mancini falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan gjatë eksperiencës në Katar.

“Dua të falënderoj tifozët e Al Sadd për mbështetjen gjatë këtij sezoni dhe për mënyrën se si na ndihmuan të rikuperonim shumë pozicione në rrugën drejt titullit. Falënderoj klubin, drejtuesit, lojtarët dhe të gjithë punonjësit. Do të mbeteni gjithmonë në zemrën time”, deklaroi tekniku italian.

Tashmë vëmendja është përqendruar te hapat e ardhshëm të federatës italiane, ndërsa tifozët e Italisë presin të mësojnë nëse Mancini do të rikthehet për një kapitull të ri me kombëtaren që e udhëhoqi drejt triumfit në Euro 2020.