‘Ylli’ i NBA-së arrestohet në Houston me akuzën e armëmbajtjes pa leje
Një lajm i bujshëm vjen nga NBA, ku ylli amerikan, James Harden, është arrestuar në qytetin e Houston-it gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës.
Sipas dokumenteve zyrtare të policisë, 36-vjeçari u ndalua në orën 03:41 dhe më pas u vu në pranga nga autoritetet e Houston Police Department, nën akuzën e mbajtjes së paligjshme të një arme zjarri.
Hetimet paraprake tregojnë se në automjetin e basketbollistit është gjetur një pistoletë e cila, sipas raportit, ndodhej në pamje të hapur dhe nuk ishte e vendosur në këllëf mbrojtës, gjë që përbën shkelje të ligjit në Teksas.
Sipas burimeve të raportuara nga mediat amerikane, Harden ishte parë më herët gjatë mbrëmjes në një lokal në Houston së bashku me një grup shokësh, përpara se të ndodhte arrestimi.
Basketbollisti u lirua më pas me kusht gjatë mëngjesit të së shtunës dhe pritet të dalë në gjykatë më 22 qershor për seancën e parë gjyqësore.
James Harden aktualisht është pjesë e Cleveland Cavaliers, pas një transferimi të bujshëm nga Los Angeles Clippers, duke vijuar karrierën e tij në NBA pas një periudhe të gjatë suksesi në Houston Rockets, ku u shpall edhe MVP i ligës.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në SHBA, ndërsa pritet që hetimet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e arrestimit të një prej emrave më të njohur të basketbollit amerikan.