Zyrtare/ I tha ‘jo’ Milanit, Rangnick rinovon me Austrinë deri në vitin 2028

Është zyrtare: Ralf Rangnick nuk do të jetë pjesë e Milanit. Trajneri gjerman ka refuzuar ofertën e kuqezinjve dhe ka firmosur rinovimin e kontratës me Federatën Austriake të Futbollit deri në vitin 2028.

Vendimi vjen pak ditë përpara fillimit të aventurës së Botërorit 2026, duke u dhënë fund spekulimeve të gjata mbi një kalim të mundshëm të Rangnick te Milani në rolin e drejtorit teknik.

Sipas njoftimit zyrtar të Federatës Austriake të Futbollit (ÖFB), palët kanë arritur një marrëveshje pas muajsh bisedimesh intensive dhe të bazuara në besim të ndërsjellë. Rinovimi është miratuar unanimisht nga këshilli mbikëqyrës, duke siguruar vazhdimësinë e projektit sportiv të përfaqësueses së Austrisë.

Në deklaratën zyrtare theksohet se ky vendim garanton stabilitetin e projektit të Austrisë në prag të Botërorit dhe forcon rrugëtimin e nisur në vitet e fundit nën drejtimin e Rangnick.

“Vendimi është marrë: trajneri Ralf Rangnick do të vazhdojë rrugëtimin e tij të suksesshëm me kombëtaren austriake dhe do të qëndrojë të paktën deri në Euro 2028,” thuhet në komunikatën e ÖFB.

Presidenti i këshillit mbikëqyrës të federatës, Josef Pröll, ka shprehur kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes, duke e cilësuar atë si një sinjal të fortë uniteti dhe qartësie sportive përpara Botërorit.

Ai ka theksuar gjithashtu se, përveç aspektit financiar, vendimi i Rangnick është ndikuar edhe nga projekti sportiv dhe vizioni afatgjatë i përfaqësueses austriake.

Sipas tij, “Austria dhe Ralf Rangnick janë një kombinim perfekt”, duke nënvizuar besimin e madh që federata ka te trajneri gjerman.

Me këtë rinovim, Austria siguron vazhdimësi në projektin e saj përpara një prej turneve më të rëndësishëm ndërkombëtarë, ndërsa Milani mbetet pa një nga emrat e përfolur për drejtimin teknik të ardhshëm.