Pse vjollca konsiderohet ngjyra e mbretërve?

Lidhja e vjollcës me mbretërit dhe mbretëreshat daton që nga bota e lashtë, ku rrallësia e saj dhe nuancat e pasura e bënë një ngjyrë të çmuar, e rezervuar shpesh vetëm për elitën. Mbreti pers Kirie adoptoi një tunikë vjollcë si uniformën e tij mbretërore dhe disa perandorë romakë ua ndaluan qytetarëve të vishnin rroba vjollcë dhe rrezikonin të dënoheshin deri në vdekje.

Vjollca nderohej veçanërisht në Perandorinë Bizantine. Sundimtarët e saj mbanin rroba të gjata vjollcë dhe nënshkruanin dekretet me bojë vjollcë, ndërsa fëmijët e tyre përshkruheshin si të “lindur në vjollcë”.

Arsyeja e reputacionit mbretëror të vjollcës lidhet me një rast të thjeshtë të ofertës dhe kërkesës. Për shekuj me radhë, tregtia e bojës vjollcë ishte e përqendruar në qytetin e lashtë fenikas të Tirit, në territorin e Libanit të sotëm. “Vjollca e Tirit” e fenikasve prodhohej nga një lloj kërmilli deti që sot njihet si Bolinusbrandaris dhe ishte aq e rrallë sa vlente shumë.

Për ta përftuar atë, prodhuesit e bojës duhej të çanin guaskën e kërmillit, të nxirrnin një mukozë që prodhonte ngjyrën vjollcë dhe ta ekspozonin në dritën e diellit për një kohë të përcaktuar me saktësi. Nevojiteshin deri në 250,000 molusqe për të prodhuar vetëm 30 mililitra bojë të përdorshme, por rezultati ishte një nuancë vjollcë e gjallë dhe jetëgjatë.

Rrobat e prodhuara me këtë bojë ishin jashtëzakonisht të shtrenjta, 450 gramë lesh i ngjyrosur me vjollcë kushtonte më shumë se sa fitonin shumica e njerëzve gjatë një viti të tërë. Për këtë arsye, ato u bënë natyrshëm simbol i të pasurve dhe të pushtetshmëve. Gjithashtu ndihmoi edhe fakti se vjollca e Tirit thuhej se i ngjante ngjyrës së gjakut të mpiksur, një nuancë që besohej se kishte domethënie hyjnore.

Monopoli i klasës mbretërore mbi ngjyrën vjollcë filloi të zbehej pas rënies së Perandorisë Bizantine në shekullin XV, por kjo ngjyrë nuk u bë gjerësisht e disponueshme deri në vitet 1850, kur në treg u shfaqën bojërat e para sintetike.