Protesta kundër Ramës/ Mjeku: Shqiptarët nuk e kanë humbur dinjitetin, ndërkombëtarët të reagojnë
Në një fjalim që ndezi turmën një mjek ka denoncuar ashpër arroganca e institucioneve, nepotizmi dhe heshtja e ndërkombëtarëve, duke i dërguar një mesazh të qartë dhe të prerë qeverisë.
Ai foli për dramat e rënda që ndodhin në dyert e spitaleve, ku shqiptarët po përballen me tragjedi familjare prej emigrimit, duke u lutur vetëm që të mos ndahen nga jeta pa i parë fëmijët për herë të fundit. Kritika të forta iu drejtuan drejtpërdrejt Kryeministrit, i cili u akuzua se në kulmin e krizave dhe mes halleve të panumërta të shtetit, gjen kohë të merret me meme dhe influencera në rrjetet sociale.
Thirrjet e fuqishme "Ju erdhi fundi" dhe "Rama ik" mbizotëruan të gjithë sheshin, ndërsa mjeku bëri thirrje edhe për ambasadat e huaja që të mos heshtin përballë atij që u cilësua si një "palo parlament" që nuk përfaqëson më askënd. Kjo lëvizje qytetare nuk është një luftë për interesa personale, por një betejë historike për dinjitet
Protestuesi: Përshëndetje të gjithëve. U bënë disa ditë, kemi humbur numrin tani se sa bën që protestohet në këtë shesh. Dhe kjo është pjesa jonë e realitetit shqiptar. Ja që në këtë vend ka akoma gjak që zien nëpër vena. Nuk është palosur gjaku i të parëve dhe nuk ka humbur dinjiteti i njerëzve. U bënë disa ditë se pyetet përse protestojmë. Protestojmë për arrogancën e këtij shteti. Protestojmë se jemi ndjerë të pambrojtur nga mburoja shtetërore dhe jemi lënë jetimë të flakur në mes të rrugës. Pse protestojmë? Protestojmë për të gjitha ato makabritete që arrijmë të shohim në dyert e spitalit, ku fëmijët e larguar, amanetin e fundit që marrin nga prindërit janë që të mos varrosen pa i parë ata për herë të fundit. Kjo është një tragjedi që vazhdon prej shekujsh, e duhet t'i japim fund. Shumëkush nga ne mendonte se të tilla lloj situatash do veniteshin, se e donim Shqipërinë si e gjithë Evropa. Jo mor jo, ne duam Shqipërinë. Evropa do të na presë, po qemë të zot për veten nuk ka derë që të na mbyllet.
Kryeministri këto ditët e fundit ka gjetur kohë të merret, mes 1001 halleve të shtetit, të merret edhe me meme edhe me influencera. Pse të ndikojnë kaq shumë këto? Vallë kaq tepër e ke kohën sa të merresh dhe me to? Në vend që t'i vësh gishtin kokës e t'i kthehesh zotit edhe miletit, duhet të kesh edhe një gjë parasysh: shqiptarët nuk e kanë humbur dinjitetin. Është kjo rini, është kjo rini që ti e përdore për të ardhur në pushtet. Është kjo rini që përmbysi të gjitha regjimet, që fryn lumenjtë e tund malet. Kijeni mendjen o Edi Rama, kijeni mendjen çdo pushtetar që do të vijë! Ne kërkojmë shtet e jo pushtet. Shteti duhet të karakterizohet nga mirëqenia e njerëzve të tij. E nuk po flas për të gjitha ato makabritetet e tjera, po po përmend vetëm një: këtij vendi me nepotizmin i keni kallur datën. I keni hapur gropën e varrezave të mëdha që me zor po mbyllet. Kijeni mendjen, se mes këtyre njerëzve, ka të arritur e ka njerëz mendjendritur të cilët do t'i dalin ballë kësaj. Forca dhe energjia e këtyre të rinjve do të duhet të jetë e orientuar dhe e udhëzuar nga mendjendriturit e Shqipërisë që kurrë nuk i kanë munguar. Këtu ka intelektualë që nuk ja kanë falur shpirtin shejtanit. E do zoti që ti je shejtani, po ti nuk i kupton dot të gjitha këto. Se historia e ka treguar, se dhe një nënë krahinore kur i qanin të birin për vendimet që merrte, iu përgjigj: 'Bijtë e nënës, karrigia po të qe e mirë ta vinin në kokë'. E kjo është situata që ti ke krijuar. Lëre detyrën nga ky vend! Rama të erdhi fundi! Nderoje vendin dhe lër të rinjtë ta kristalizojnë sistemin. Ne nuk duam ta rrënojmë sistemin, ne duam ta kristalizojmë atë e jo ta bëjmë karbon. Historia ka treguar që sa më shumë qëndroni nëpër pushtete, aq më shumë e shërbeni atë oborreve tuaja klienteliste. Shqipëria është një tokë që është lagur historikisht me gjak. E kjo tokë vetëm për këtë duhet respektuar. Nuk pranohen më gjakprishur që të flasin për interesat e tyre sikur po shesin opingat e Sheros.
Ku janë ambasadat? Ku janë historitë tona shumëvjeçare me përfaqësitë më të nderuara në këtë botë? Ato na kanë ndihmuar në shtetbërje. Pse heshtin? Ne kemi qenë e do të jemi zot të këtij vendi dhe do duam gjithsesi e gjithëherë t'i themi mirëseerdhe çfarëdo lloj të huaji kur vjen si mik. Këtu zot ka në këtë vend, dhe ju duhet të bëheni përfaqësuesit nga kjo turmë, për atë palo parlament që nuk përfaqëson asnjë prej nesh. Ka situata si ato që pamë dje, anti-mitingjet ti mund t'i bësh me njerëzit e tu të administratës. Po mos harro se fëmijët e tyre i ke këtu në shesh! Dhe ata fëmijë do i tërheqin prindërit e tyre nga pas.
Vëri gishtin kokës, dhe mos e neglizho këtë vend. Dil se kollaj i ke kamerat t'i numërosh se sa shumë janë. Dil se sa shumë i ke nëpër sheshe. Mos kujto se me anti-mitingje po na tremb dhe po na prish mendjen. Kjo shoqëri nuk lufton për interes. Kjo shoqëri po lufton për dinjitet! E ai as blihet, as shitet, e as përdhoset.