Zyrtare/ Neymar mungon në debutimin e Brazilit në Botëror ndaj Marokut

Një goditje e madhe për Brazil në prag të ndeshjes së parë të Botërorit 2026, pasi ylli i ekipit, Neymar, është përjashtuar nga sfida hapëse kundër Marokut.

Lajmi është konfirmuar nga trajneri Carlo Ancelotti, i cili ka bërë të ditur se sulmuesi 34-vjeçar nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen më të rëndësishme të Grupit C. Megjithatë, ai pritet të rikthehet në stërvitje gjatë javës së ardhshme.

 “Po punon fort për t’u rikthyer sa më shpejt në formë,” ka deklaruar Ancelotti, duke theksuar se gjendja e lojtarit po monitorohet me kujdes.

Mungesa e Neymarit vjen pas një periudhe dëmtimi në muskujt e këmbës, që e kishte lënë jashtë fushave për disa javë, megjithëse ekzaminimet mjekësore para turneut kishin lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së tij.

Trajneri italian, megjithatë, ka theksuar se Brazili mbetet një skuadër e fortë dhe e gatshme për të konkurruar deri në fund në Botërorin që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

“Ne kemi një ndjesi të mirë për këtë Botëror. Jemi të përgatitur dhe nuk ka një favorit të qartë. Kjo skuadër mund të përballet me këdo,” është shprehur Ancelotti.

Brazili, pesë herë kampion bote, do të kërkojë të nisë me fitore edhe pa njërin prej yjeve të tij më të mëdhenj, në një ndeshje që zhvillohet në ‘MetLife Stadium’ në orën 00:00 sipas kohës lokale evropiane.