Shkëlqen hamilton, por në ‘pole’ është Russell, Leclerc përfundon në mur

Në një tjetër sesion spektakolar kualifikues në Çmimin e Madh të Spanjës në cirkuitin e Barcelonës, Mercedes-i ka konfirmuar dominimin duke siguruar ‘pole position’ për të shtatën garë radhazi.

George Russell ishte më i shpejti në kualifikime me kohën 1:14.679, duke u renditur i pari në start për garën e së dielës. Pas tij, shumë pranë, u rendit Lewis Hamilton, i cili humbi ‘pole position’-in me vetëm 64 të mijëtat e sekondës.

Në vendin e tretë u rendit lideri i kampionatit, Kimi Antonelli, i cili konfirmoi formën e mirë me një tjetër paraqitje në top 3.

Pas tij u renditën Lando Norris dhe Max Verstappen, duke plotësuar një grup të ngushtë në krye të renditjes.

Megjithatë, dita u kthye në makth për Charles Leclerc. Piloti i Ferrari-t përfundoi në mur gjatë Q3 ndërsa po kërkonte kohën më të shpejtë. Incidenti i kushtoi shumë, duke e detyruar të niset nga vendi i 10-të në garë, pas një tjetër gabimi në një fundjavë të vështirë për të.

Mercedes-i vazhdon të jetë i pakapshëm në kualifikime, duke siguruar ‘pole position’ në të gjitha garat e sezonit deri tani (7 nga 7), por këtë herë fitorja erdhi me shumë vështirësi për shkak të konkurrencës së fortë nga rivalët.

Në pjesën tjetër të renditjes u shënuan performanca solide nga Isack Hadjar, Oscar Piastri, Liam Lawson, Nico Hülkenberg dhe Leclerc, që mbylli top 10-shen.

Më herët në sesion u eliminuan në Q2 disa emra të njohur si Carlos Sainz, ndërsa në Q1 u larguan disa surpriza, përfshirë pilotë të tjerë të rëndësishëm të grilës.

Një tjetër detaj i fundjavës ishte edhe performanca e dobët e Fernando Alonso në shtëpinë e tij, i cili për herë të parë pas shumë garash u rendit i fundit në kualifikime, duke kompletuar një ditë të vështirë për pilotin veteran spanjoll.