VIDEO/ Berisha: Shqipëria nuk mund të quhet kurrë vend i zhvilluar me një fshat të prapambetur
Kryetari i PD-së Sali Berisha në takimin me fermerët në Cërrik, ka vendosur sërish theksin në zhvillimin fshatit dhe zonave rurale.
Sipas tij, nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar, nëse fshati është i prapambetur. Berisha u shpreh se, qeverisja e PD do të rikthejë investimet në zonat rurale, që këto të fundit të kthehen si lagje qyteti.
‘Shqipëria nuk mund të quhet kurrë vend i zhvilluar me një fshat të prapambetur. Në qoftë se fshati është i prapambetur, vendi është i prapambetur. Le të ndërtojë sa të dojë rrokaqiej. Zhvillimin e tregon këtu, e tregon fshati, niveli i tij. Ndaj dhe ne zotohemi para jush se do ta kemi përparësi të madhe.’, theksoi Berisha.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Investime të mëdha me përparësi do të bëhen në infrastrukturën e zonës rurale dhe vaditjen.
Dua t'ju rikujtoj se në vitet 2005-2013 mbi 3 miliardë euro janë investuar në Shqipërinë rurale. Mbi 3 miliardë euro. Dhe përsëri duheshin të paktën dhe 2 miliardë për të përfunduar sistemin rrugor të saj.
Fshatrat duhet të kenë të njëjtën infrastrukturë si lagjet e qytetit.
Shqipëria s'do jetë kurrë vend i zhvilluar pa u realizuar standardet e lagjeve të qytetit në infrastrukturë për fshatrat e vendit. Jo që kjo nuk eci, por ju them është përkeqësuar në mënyrë dramatike.
Furnizimi me ujë në qytete. Pa le më, investimet në zonat rurale janë pothuaj inekzistente. Hoqi komunat. Ishte një goditje tmerrësisht e rëndë. Pse? Çfarë raporti kishim ne gjatë qeverisjes sonë me komunat?
Një raport të tillë, kryetarëve të komunave dhe këshillave të komunave u kërkonim të bënin projektet për rrugët, për kanalizimet, për kanalet, kurse fondin e garantonim ne si qeveri. Ju them se ky raport ishte jashtëzakonisht i frytshëm, i dobishëm.
Dhe ky raport bëri të mundur që në vend të ndërtohen 11300 kilometra rrugë nga të cilat 8000 e sa në Shqipërinë rurale. Të ndërtohen rreth 700 sisteme ujësjellësa, kanalizime. Të financohen 45 mijë plantacione të drurëve frutorë dhe mijëra hektarë sera.
Ne përsëri kthehemi.
Thashë dhe një herë, Shqipëria nuk mund të quhet kurrë vend i zhvilluar me një fshat të prapambetur. Në qoftë se fshati është i prapambetur, vendi është i prapambetur.
Le të ndërtojë sa të dojë rrokaqiej. Zhvillimin e tregon këtu, e tregon fshati, niveli i tij. Ndaj dhe ne zotohemi para jush se do ta kemi përparësi të madhe.