Reuters: Kreu i opozitës shqiptare Berisha thotë se SHBA i ka hequr ndalimin e hyrjes në vend
Agjencia prestigjioze ndërkombëtare Reuters ka raportuar se kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara i kanë hequr ndalimin e hyrjes të vendosur ndaj tij në vitin 2021. Reuters citon gjithashtu një zëdhënës të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili konfirmoi se janë dhënë përjashtime për disa përcaktime të mëparshme sipas nenit 7031(c).
Më poshtë raportimi i plotë i Reuters:
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, deklaroi të premten se Shtetet e Bashkuara i kanë hequr ndalimin e udhëtimit të vendosur ndaj tij në vitin 2021.
Departamenti Amerikan i Shtetit kishte ndaluar hyrjen në SHBA të Berishës – i cili drejtoi Shqipërinë pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990 – si dhe të familjes së tij të ngushtë, duke deklaruar se ai ishte përfshirë në “akte korruptive”, përfshirë shpërdorimin e fondeve publike dhe përdorimin e pushtetit për të favorizuar familjarët.
“Që nga dita e djeshme, pas një shqyrtimi të plotë të çështjes sime nga Departamenti i Shtetit, familja ime dhe unë nuk jemi më të privuar nga mundësia për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara”, shkroi Berisha në Facebook.
“Një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme amerikane ndaj meje dhe familjes sime u korrigjua”, shtoi kreu i opozitës dhe lideri i Partisë Demokratike.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha Reuters se institucioni “ka lëshuar përjashtime për disa përcaktime sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi të rëndësishëm kombëtar”.
Zëdhënësi nuk bëri të ditur emrat e personave që kanë përfituar nga këto përjashtime.
Vendimi vjen në një kohë kur në Shqipëri po zhvillohen protesta masive kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz të planifikuar nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump.