Zbulohen mbetje njerëzore në një pronë private në Poloni, ja çfarë ka 'dal në dritë' nga ekzaminimet
Autoritetet në Poloni po hetojnë një rast të rëndë pas zbulimit të mbetjeve njerëzore në një pronë private në fshatin Lutoryż, pranë Rzeszów.
Sipas prokurorisë, gjatë punimeve në tokë janë gjetur materiale mjekësore, përfshirë blloqe parafine dhe diapozitiva mikroskopi, si dhe mbetje që dyshohet se i përkasin fetuseve njerëzore.
Ekzaminimet në vendngjarje kanë konfirmuar se një pjesë e materialit përbëhet nga mbetje fetale, ndërsa hetuesit dyshojnë se numri i tyre mund të shkojë deri në rreth 30 grupe mbetjesh. Përcaktimi i saktë pritet pas analizave laboratorike.
Zona ku u gjetën mbetjet ka qenë më parë në pronësi të një patologu, ndërsa toka është blerë më pas nga pronarë të tjerë.
Autoritetet kanë nisur procedim penal për ruajtje të paligjshme të mbetjeve dhe cenim të integritetit të kufomave. Hetimi po shqyrton edhe mënyrën se si materialet mjekësore janë depozituar në këtë pronë, përfshirë pretendime se një pjesë mund të ketë ardhur nga ambiente spitalore.
Një 57-vjeçare është ndaluar nga policia si pjesë e hetimeve, ndërsa pritet të merret në pyetje për origjinën dhe ruajtjen e materialeve të gjetura. Sipas raportimeve, ajo është dërguar në spital pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore gjatë procedurave.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota deri në përfundimin e ekspertizave.