Ditë makthi për Alonson në Barcelonë, vendos një rekord negativ në karrierë

Fundjava e Çmimit të Madh të Spanjës ka sjellë një moment të hidhur për Fernando Alonson. Piloti spanjoll do të nisë garën e Barcelonës nga vendi i fundit në start, diçka që ndodh për herë të parë në karrierën e tij të gjatë në Formula 1.

Bëhet fjalë për një rekord negativ për dy herë kampionin e botës, i cili debutoi në Formula 1 në vitin 2001 dhe numëron plot 431 nisje në gara. Deri më tani, Alonso nuk kishte qenë asnjëherë i fundit në renditjen zyrtare të kualifikueseve për një Çmim të Madh, duke përjashtuar rastet kur pilotët janë penalizuar pas përfundimit të sesionit.

Rezultati zhgënjyes vjen pikërisht në garën e tij të shtëpisë, përpara tifozëve spanjollë në Barcelonë. Problemet e Aston Martin gjatë këtij sezoni vazhdojnë të jenë të dukshme, me makinën që po has vështirësi për të gjetur ritmin dhe konkurrueshmërinë e nevojshme për të luftuar me rivalët.

Sikur të mos mjaftonte vendi i fundit në start, Alonso është mposhtur edhe nga shoku i tij i skuadrës, Lance Stroll. Edhe ky është një fakt i pazakontë, pasi është hera e parë që spanjolli do të nisë një garë pas kanadezit që prej se të dy janë pjesë e Aston Martinit.

Për një pilot me përvojën dhe sukseset e Alonsos, ky rezultat përfaqëson një nga momentet më të vështira të karrierës së tij. Megjithatë, spanjolli ka treguar shpesh se di të reagojë në situata të vështira dhe do të përpiqet të rikuperojë sa më shumë pozicione në garën e së dielës përpara publikut të tij.