Presidenti i Brazilit, mesazh Ancelotti-t: Nëse fiton Botërorin, do të bëhesh heroi ynë!
Në ditën e debutimit të Brazil në Botërorin 2026, presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, i ka dërguar një mesazh të veçantë trajnerit të kombëtares, Carlo Ancelotti.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Lula u bëri thirrje lojtarëve të luajnë me zemër dhe duke menduar për popullin brazilian, ndërsa theksoi se objektivi i vetëm në Kupën e Botës duhet të jetë fitimi i trofeut.
“Ajo që ka rëndësi është grinta, fryma e sakrificës. Ajo që ka rëndësi është bashkimi i ekipit, uniteti dhe harmonia brenda skuadrës. Lojtarët duhet të jenë të motivuar dhe të luajnë duke menduar për popullin brazilian, i cili ka nevojë për një fitore”, deklaroi kreu i shtetit.
Lula rezervoi edhe fjalë të veçanta për Ancelotti-n, i cili ka marrë drejtimin e “Seleçaos” me misionin për ta rikthyer Brazilin në majën e futbollit botëror.
“Nëse ia del mbanë, Ancelotti, do të bëhesh heroi ynë”, tha presidenti brazilian.
Në mesazhin e tij, Lula nënvizoi se Brazili nuk duhet të kënaqet vetëm me pjesëmarrjen në turneun më të madh të futbollit, por duhet të synojë triumfin final.
“Ti e ke skuadrën e duhur. Në Botëror nuk shkon për të konkurruar, shkon për të fituar. Ne nuk duhet të shkojmë atje për të marrë pjesë, por për të ngritur trofeun”, shtoi ai.
Deklaratat e presidentit pasqyrojnë pritshmëritë e mëdha që ekzistojnë në Brazil për këtë Botëror. Pesë herë kampionët e botës konsiderohen ndër favoritët kryesorë për triumfin final dhe shpresojnë që nën drejtimin e Carlo Ancelottit të rikthehen te suksesi që tifozët brazilianë e presin prej vitesh.