VIDEO/ Moment historik në Botëror, VAR-i zbaton për herë të parë rregullin e ri
Ndeshja mes Shteteve të Baskuara dhe Paraguajit në Botërorin 2026 hyri në histori jo vetëm për rezultatin në fushë, por edhe për një vendim të paprecedentë të sistemit VAR.
Për herë të parë në një ndeshje të Kupës së Botës u aplikua rregulli i ri i quajtur “Identiteti i Gabuar”, i cili i jep mundësi arbitrit të korrigjojë një vendim të marrë ndaj lojtarit të gabuar pas ndërhyrjes së VAR-it.
Episodi ndodhi gjatë takimit të zhvilluar në orët e para të mëngjesit sipas kohës evropiane. Arbitri holandez, Danny Makkelie, ndëshkoi fillimisht me karton të verdhë mbrojtësin amerikan Tim Ream për një faull të supozuar ndaj sulmuesit paraguajan, Miguel Almirón.
Megjithatë, pas ekzekutimit të goditjes së lirë, VAR-i e thirri arbitrin për të rishikuar pamjet në monitor. Nga përsëritjet u vu re se Almirón kishte ekzagjeruar kontaktin dhe se nuk kishte arsye për ndëshkimin e Ream-it.
Pas analizimit të pamjeve, Makkelie ndryshoi vendimin e tij fillestar. Kartoni i verdhë ndaj Ream-it u anulua, ndërsa Almirón u ndëshkua me karton të verdhë për simulim.
Vendimi i korrigjuar nga VAR-i
Ky rast shënon një moment historik për përdorimin e teknologjisë në futboll, pasi është hera e parë që në një Botëror zbatohet në praktikë rregulli i ri i “Identitetit të Gabuar”. Vendimi u prit pozitivisht nga specialistët e arbitrimit, pasi demonstron se VAR-i mund të përdoret jo vetëm për golat, penalltitë apo kartonët e kuq, por edhe për të korrigjuar ndëshkimet e padrejta ndaj lojtarëve.
Ngjarja gjatë sfidës SHBA–Paraguaj pritet të shërbejë si një shembull i rëndësishëm për mënyrën se si do të zbatohet ky rregull në ndeshjet e ardhshme të Botërorit 2026.