Mbappe premton një festim të ri në Botëror, në skenë del... fyelli
‘Ylli’ i kombëtares së Francës, Kylian Mbappé, mund të surprizojë tifozët me një festim krejtësisht të ri gjatë Botërorit 2026. Sulmuesi francez ka premtuar se, nëse shënon në ndeshjen e parë kundër Senegalit, më 16 qershor, do të festojë duke imituar luajtjen e fyellit.
Mbappe është i njohur për festimin e tij karakteristik me krahët e kryqëzuar, por këtë herë mund të shtojë edhe një detaj të veçantë. Ideja lindi gjatë një episodi të emisionit të njohur të James Corden, i regjistruar javët e fundit në formatin e famshëm “Carpool Karaoke”.
Në një fragment të publikuar së fundmi nga Fox Sports, Corden i dorëzon një fyell Mbappe-së dhe i kërkon të luajë disa nota. Francezi e pranoi me humor se aftësitë e tij muzikore nuk ishin më ato të dikurshmet.
“Kam humbur gjithçka”, tha me shaka sulmuesi, pasi notat e para nuk rezultuan shumë të sakta. Megjithatë, pas disa përpjekjeve, tingujt nisën të përmirësoheshin dhe pikërisht atëherë Corden i sugjeroi që fyelli të bëhej pjesë e festimit të tij të ardhshëm pas një goli.
“Do ta bëj për ty”, iu përgjigj Mbappe prezantuesit britanik, duke premtuar një festim të ri që mund të tërheqë vëmendjen e botës së futbollit.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse kapiteni i Francës do të mbajë fjalën. Nëse arrin të gjejë rrugën e rrjetës ndaj Senegalit në debutimin e Botërorit, tifozët mund të shohin një festim unik, me Mbappe-në që pas kryqëzimit tradicional të krahëve do të imitojë luajtjen e fyellit, një instrument që prindërit e tij ia kishin sugjeruar që në fëmijëri.