SHBA-ja e nis me spektakël Botërorin, Balogun shkëlqen ndaj Paraguait
Kombëtarja e Amerikës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme Botërorin 2026 në shtëpi, duke mposhtur bindshëm Paraguajin me rezultatin 4-1 në Los Anxhelos. Protagonisti absolut i mbrëmjes ishte Folarin Balogun, i cili realizoi dy gola dhe udhëhoqi skuadrën drejt një fitoreje historike.
Vendasit e nisën ndeshjen me ritëm të lartë dhe kaluan në avantazh që në minutën e tetë. Pas një aksioni të bukur të Christian Pulisic, topi u devijua në portën e vet nga mbrojtësi paraguajan Damián Bobadilla, duke i dhënë epërsinë SHBA-së.
Balogun mendoi se kishte dyfishuar shifrat në minutën e 28-të, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje. Sulmuesi nuk u dorëzua dhe vetëm tri minuta më vonë realizoi golin e dytë të takimit pas një asistimi të Pulisic.
Skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino vazhdoi të dominonte dhe, pak para përfundimit të pjesës së parë, Balogun realizoi edhe golin e tij të dytë personal. Sulmuesi i Monakos shmangu dy mbrojtës kundërshtarë dhe dërgoi topin në trekëndësh, duke vulosur një pjesë të parë perfekte për amerikanët, të cilët shkuan në pushim me avantazhin 3-0.
Paraguai tentoi të reagonte në pjesën e dytë dhe arriti të ngushtote diferencën në minutën e 73-të me golin e Maurícios, pas një kombinimi mes Julio Enciso dhe Miguel Almirón.
Megjithatë, fjala e fundit i takoi sërish SHBA-së. Në minutat shtesë, Giovanni Reyna përmbylli një aksion fantastik me 26 pasime radhazi, duke shënuar golin e katërt dhe duke vulosur suksesin 4-1.
Kjo ishte hera e parë që SHBA-ja shënon katër gola në një ndeshje të Botërorit dhe njëkohësisht fitorja më e thellë në historinë e saj në këtë kompeticion. Ndërkohë, Paraguai e nisi me humbje rikthimin në Kupën e Botës pas 16 vitesh mungesë.
Lojtari i ndeshjes u shpall me meritë Folarin Balogun, i cili me dy golat e tij ishte figura kryesore e triumfit amerikan.