Montella: Turqia e ka pritur këtë moment prej 24 vitesh
Kombëtarja e e Turqisë është gati të nisë aventurën e saj në Botërorin 2026 dhe emocionet janë të mëdha. Në prag të ndeshjes së parë ndaj Australisë, në Grupin D, trajneri Vincenzo Montella ka theksuar rëndësinë e këtij momenti historik për futbollin turk.
“Jemi shumë të emocionuar përpara një ndeshjeje që e kemi pritur prej shumë kohësh, plot 24 vitesh. Besojmë se do të zhvillojmë një paraqitje të mirë”, deklaroi Montella për mediet turke.
Tekniku italian pranoi se skuadra e tij është e vetëdijshme për vështirësitë që sjell një turne i tillë, por njëkohësisht shprehu besim se Turqia ka potencialin për t’i përballuar sfidat që e presin.
“E dimë se Botërori paraqet vështirësi të mëdha, por besojmë se mund t’i kapërcejmë ato dhe duam ta shijojmë këtë përvojë. Kemi një ekip plot pasion, ndiejmë përgjegjësinë dhe e dimë se miliona njerëz na mbështesin. Pritshmëritë janë të mëdha”, tha ai.
Montella foli edhe për kundërshtarin e parë, duke vlerësuar cilësitë e Australisë dhe duke paralajmëruar lojtarët e tij që të mos e nënvlerësojnë përballjen.
“Australia ka lojtarë të shpejtë në repartin ofensiv dhe di të luajë në mënyrë të organizuar. Ne duhet të zhvillojmë lojën tonë pa u dhënë shumë hapësira. E dimë se është një skuadër e fortë fizikisht. Nesër duhet të tregojmë forcë fizike, por edhe cilësi teknike. Duhet të luajmë një ndeshje që nxjerr në pah të gjitha aftësitë tona”, përfundoi trajneri i Turqisë.
Për Turqinë, rikthimi në skenën më të madhe të futbollit botëror pas 24 vitesh përfaqëson një moment të veçantë, ndërsa sfida ndaj Australisë do të jetë testi i parë për ambiciet e skuadrës së drejtuar nga Montella.