Tronditet Botërori, gjendet një kufomë e dekompozuar pranë stadiumit ku stërvitet Irani
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në prag të nisjes së aventurës së Iranit në Botërorin 2026. Mediet meksikane raportojnë se pranë qendrës stërvitore të kombëtares iraniane në Tijuana është gjetur trupi i pajetë i një personi brenda një automjeti të parkuar afër stadiumit ku skuadra po zhvillon përgatitjet e saj.
Sipas informacioneve të para, zbulimi është bërë të premten në mëngjes në parkingun e një supermarketi, përballë stadiumit Estadio Caliente, ku Irani po stërvitet për ndeshjen hapëse të Botërorit ndaj New Zealand. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ekipet hetimore.
Raportimet paraprake bëjnë të ditur se një automjet gri i tipit Toyota RAV4 kishte qëndruar i parkuar në të njëjtin vend për të paktën tri ditë. Gjatë kontrollit të mjetit, autoritetet gjetën kufomën e një personi, e cila ndodhej në një fazë të avancuar dekompozimi.
Zona përreth u izolua menjëherë, ndërsa hetuesit nisën procedurat për identifikimin e viktimës dhe përcaktimin e shkaqeve të vdekjes. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi identitetin e personit apo rrethanat që çuan në këtë ngjarje, ndërsa mbetet e paqartë nëse rasti lidhet me ndonjë aktivitet kriminal.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në zonën ku është akomoduar dhe po stërvitet kombëtarja iraniane e drejtuar nga Amir Ghalenoei. Megjithatë, sipas informacioneve të deritanishme, incidenti nuk ka ndikuar në programin e përgatitjeve të Iranit për debutimin në Kupën e Botës.