Ekuadori ul çmimin e birrës me më shumë se 20% gjatë Kupës së Botës

Presidenti ekuadoras Daniel Noboa njoftoi të enjten një ulje prej 20% të çmimit të birrës, pijes alkoolike më popullore në vend, gjatë kohëzgjatjes së Kupës së Botës.

Birra është ndër pijet që do të përjashtohen nga taksa speciale e konsumit “gjatë Kupës së Botës”, deklaroi presidenti gjatë inaugurimit të një projekti rrugor në provincën e Guayas, një rajon bregdetar i prekur nga luftërat për territor midis bandave rivale të drogës.

“Çmimi i birrës do të bjerë me më shumë se 20% ”, shtoi ai, i shoqëruar nga duartrokitje. Masa do të jetë në fuqi deri më 19 korrik, në fund të turneut që mbahet në Meksikë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Kjo masë vlen edhe për verën, e cila është më pak popullore se birra në vendin e Andeve.

I veshur me fanelën e verdhë të ekipit kombëtar, Presidenti Noboa deklaroi se “të gjithë janë tashmë më të përqendruar te futbolli sesa te çdo gjë tjetër, dhe kjo është normale, ne jemi një komb futbollistik”.

Ai parashikoi që ekipi ekuadoras, i shortuar në një Grupin E sfidues me Gjermaninë, Bregun e Fildishtë dhe Kuraçaon, do të shkonte “shumë larg” në këtë garë.