SYRI TV/ Rama mashtron për çështjen Becchetti, pretendoi se po rrëzohet arbitrazhi
Kryeministri Edi Rama ka mashtruar publikisht me një deklaratë të bërë gjatë 35-vjetorit të Partisë Socialiste, sa i takon çështjes së arbitrazhit ndërkombëtar me biznesmenin Francesco Becchetti. Ndërsa kreu i qeverisë deklaroi se Gjykata e Apelit e Brukselit është pranë rrëzimit të vendimit arbitral, një vendim përfundimtar i kësaj gjykate, i siguruar nga Syri TV, tregon se arbitrazhi mbetet në fuqi dhe se procedurat për ekzekutimin e detyrimit financiar ndaj Shqipërisë vijojnë.
Kryeministri Rama, në fjalimin e tij me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, mes shumë të pavërtetave, deklaroi se sipas tij Gjykata e Apelit e Brukselit është pranë rrëzimit të arbitrazhit ndërkombëtar dhe detyrimit të Shqipërisë për t’i paguar 110 milionë eurot e përcaktuara nga ICSID biznesmenit Francesco Becchetti.
Po si qëndron e vërteta mbi procesin në Gjykatën e Apelit të Brukselit? Procesi ka përfunduar dhe Syri TV posedon vendimin përfundimtar të 5 marsit të këtij viti, i cili dëshmon qartë se Gjykata jo vetëm që nuk e ka rrëzuar arbitrazhin, por konfirmon shumën e njohur nga ICSID dhe të drejtën e Becchettit për ta ekzekutuar atë. Në fakt, Gjykata deklaron se Eurocontrol ka depozituar tashmë në duart e përmbaruesit gjyqësor tarifat që i takojnë Shqipërisë në shumat 134.388.297,67 dhe 14.299.849,02 euro, të destinuara për t’u shpërndarë kreditorëve.
Në arsyetimin e saj, Gjykata kujton se tribunali ICSID i ka njohur Becchettit, Mauro De Renzis dhe Stefania Grigolon shumën prej 99.487.000 eurosh si dëmshpërblim në kapital, së cilës i shtohen 8.222.238,35 euro dhe 645.183,42 dollarë amerikanë për rimbursimin e shpenzimeve dhe kostove, për një total prej rreth 110 milionë eurosh, “mbi të cilat llogaritet interes 3% mbi normën LIBOR, të kapitalizuara çdo tre muaj, duke filluar nga 31 marsi 2018 deri në pagesën e plotë”.
Për rrjedhojë, dëmshpërblimi i detyrueshëm, i llogaritur deri më sot, arrin në mbi 150 milionë euro. Një pjesë thelbësore e procesit kishte të bënte me pretendimin e qeverisë shqiptare se kishte zbuluar prova të reja që tregonin mashtrim në arbitrazh. Për këtë qëllim, Shqipëria paraqiti materiale të mbledhura nga një hetim privat i porositur në vitin 2024.
Gjykata e Apelit të Brukselit i trajtoi këto materiale me skepticizëm ekstrem, duke bërë edhe kritika serioze për përfaqësimin e palës shqiptare. Sipas vendimit, identiteti i kompanisë që kreu hetimin për llogari të shtetit shqiptar nuk u bë kurrë publik, kuadri juridik mbi bazën e të cilit ajo veproi nuk u sqarua dhe rrethanat konkrete të mbledhjes së provave nuk u dokumentuan.
Për më tepër, Gjykata konstatoi se videot e paraqitura nga kompania misterioze e hetimit, e përzgjedhur nga qeveria shqiptare, ishin të pabesueshme, të regjistruara nga persona të panjohur, të cilët kishin mashtruar dhe manipuluar bashkëbiseduesit e tyre. Gjykata konfirmon se, në çdo rast, deklaratat e pakta të paraqitura nuk sollën asgjë konkrete dhe të saktë lidhur me veprimet e Becchettit.
Vendimi shkon edhe më tej, duke deklaruar se natyra sekrete dhe jotransparente e procesit nga pala shqiptare cenonte të drejtën e palës kundërshtare për një proces të rregullt dhe të drejtë.
Po e njëjta gjykatë, në vendimin e saj, hodhi poshtë edhe kërkesën e Shqipërisë për të pezulluar ekzekutimin e vendimit arbitral në pritje të një tjetër procedure të nisur në një gjykatë në Francë. Sipas saj, Konventa ICSID nuk lejon mjete ankimi të ndryshme nga ato të parashikuara në vetë konventën dhe gjykatat belge janë të detyruara ta konsiderojnë vendimin arbitral si një vendim gjyqësor përfundimtar dhe detyrues.
Ky verdikt i 5 marsit 2026 demaskon mashtrimin më të fundit të kryeministrit, i cili, me zellin e tij për të heshtur mediat e lira, i ka dënuar shqiptarët me një faturë që tashmë arrin në qindra miliona euro, përveç dëmeve prej disa miliardë eurosh që i janë shkaktuar vendit nga aferat korruptive gjatë qeverisjes së tij.
Me vendimin përfundimtar në apel, ekzekutimi i vendimit arbitral mbetet në fuqi, mbi bazën e të cilit vazhdon procedura e shpërndarjes së shumave që shteti shqiptar u detyrohet Becchettit dhe ortakëve të tij.