Berisha: Opozita e opozitës do të dështojë, kjo është një lëvizje e shpirtit të qytetarëve, rinisë shqiptare
Kryetari i PD, Sali Berisha, komentit të bashkëbiseduesve në rrjetet sociale për protestat masive të qytetarëve në Tiranë e jo vetëm, u shpreh se opozita e opozitës do të dështojë, pasi siç theksoi ai, ajo është një lëvizje e rinisë shqiptare.
‘...këto opozita e opozitës, që përpiqet ta akaparojë dhe manipulojë, pavarësisht nga momentet e caktuara, pavarësisht e tjerë e tjerë, ju garantoj se do të dështojë’, theksoi kryedemokarti.
Sipas Berishës, njerëzit që vranë frikën dhe dolën në protestë më shumë se asnjëherë tjetër, i kanë bërë kombit një shërbim të jashtëzakonshëm.
Bashkëbisedimi:
Agron Prendi: Zoti Berisha, urime për vendosjen e dinjitetit dhe moralit tuaj por edhe të 500 mijë votuesve që duke e ditur që nuk fiton por vendosën të qëndrojnë me të drejtën dhe të vërtetën. Pyetja ime është, kjo lëvizje popullore a mund të përfundojë me përfitues majtistët sepse gjithmonë nga hiçi kthehen në udhëheqës dhe përfitues kauzash të të tjerëve?
Sali Berisha: Lëvizja aktuale pa diskutim që ka, siç ka prani të qendrës së djathtë, ka grupime të majtiste madje edhe ekstremiste.
Por në një lëvizje qytetare, i dashur mik, kjo është krejtësisht e pashmangshme.
Një gjë konstatoj se ata që përpiqen, këto opozita e opozitës, që përpiqet ta akaparojë dhe manipulojë, pavarësisht nga momentet e caktuara, pavarësisht e tjerë e tjerë, ju garantoj se do të dështojë.
Kjo është lëvizje e shpirtit qytetar të shqiptarëve dhe rinisë shqiptare, e fibrës së tyre, e njerëzve që vranë frikën më shumë se asnjëherë tjetër dhe i kanë bërë kombit një shërbim të jashtëzakonshëm, jua them unë, unë e them këtë me admirimin më të madh, i kanë bërë një shërbim të jashtëzakonshëm.