SYRI TV/ Gruri drejt zhdukjes në Lushnje dhe Divjakë, fermerët po heqin dorë nga kultivimi

Kultura e grurit në Lushnje dhe Divjakë po pëson një rënie të ndjeshme, me sipërfaqen e mbjellë që ka zbritur nga 11 mijë në 4200 hektarë në pesë vitet e fundit. Fermerët fajësojnë kostot e larta të prodhimit dhe mungesën e tregut për prodhimin vendas. Në këto kushte, shumë prej tyre po mbjellin grurë vetëm për nevojat familjare.

Kultura e grurit, e cila dikur zinte rreth 40 deri në 45 për qind të sipërfaqes së mbjellë në zonat e Lushnjes dhe Divjakës, po shkon drejt tkurrjes. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në Lushnje tregojnë se, vetëm në pesë vitet e fundit, sipërfaqja e mbjellë me grurë është ulur nga rreth 11 mijë hektarë në vetëm 4 mijë e 200 hektarë këtë vit. Fermerët thonë se kostot e larta të prodhimit, mungesa e tregut dhe dominimi i produkteve të importit e kanë bërë gjithnjë e më pak fitimprurës kultivimin e kësaj kulture bujqësore.

Sipas fermerëve, edhe furrat e bukës po orientohen gjithnjë e më shumë drejt grurit të importit, i cili në disa raste rezulton deri në 50 për qind më i lirë se prodhimi vendas. Në këto kushte, shumë familje bujqësore kanë reduktuar ndjeshëm sipërfaqet e mbjella, duke kultivuar grurë vetëm për nevojat e tyre familjare dhe jo më për treg.

Rënia e vazhdueshme e sipërfaqeve të mbjella me grurë po ngre shqetësime për të ardhmen e kësaj kulture tradicionale në një nga zonat më të rëndësishme bujqësore të vendit. Fermerët kërkojnë mbështetje më të madhe dhe politika që garantojnë konkurrueshmërinë e prodhimit vendas përballë importeve.