Protesta/ Berisha: Kjo është lëvizje qytetare dhe risia është se, në rrugët e Tiranës u vra shtriga frikë

Berisha e cilësoi protestën e qytetarëve si një lëvizje të gjerë dhe paqësore, duke theksuar se risia e saj qëndron në faktin se në rrugët e Tiranës “u vra frika”, siç u shpreh ai.

Berisha deklaroi se qytetarët dhe të rinjtë kanë humbur frikën dhe po marrin pjesë në mënyrë aktive në protestë, të cilën e konsideroi një lëvizje qytetare përtej kufijve partiakë.

Sipas tij, ky zhvillim përbën një moment të rëndësishëm politik dhe një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë aktuale, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme.

Geraldina Kola: Përshëndetje doktor, ju keni bërë thirrje për një revolucion paqësor kundër kësaj qeverie. Duke parë se protestat e qytetarëve deri tani janë zhvilluar pa asnjë të arrestuar, pa asnjë xham të thyer dhe pa asnjë gur të hedhur ndaj institucioneve. A mendoni se kjo është pikërisht forma e reagimit qytetar që keni kërkuar prej kohësh?

Sali Berisha:

Mendoj se kjo është forma më paqësore e reagimit qytetar. Geraldina, ka një risi të një rëndësie të jashtëzakonshme në këtë protestë. 
Në bulevardin dhe rrugët e Tiranës u vra shtriga frikë, u vra frika nga të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë. Dhe kjo e bën absolutisht të pashpresë Edi Ramën. Ndaj dhe një herë çdo shqiptar ka një moment historik të japë një dorë, të japë një krah suksesit të kësaj lëvizje. 

Si qytetar, jo si partiak. Kjo nuk është lëvizje partiake. Kjo është lëvizje qytetare, jashtë partive, i kalon kufijtë e partive. 
Duhet të kemi këtë vetëdije, pra duhet ta mirëpresim këtë zhvillim që është absolutisht në interesin më të madh të vendit dhe kombit.