Protestë dhe në Dublin/ Nga Irlanda kërkohet dorëheqja e Ramës: Zëri i popullit, një uragan që s'ndalet

Teksa protesta masive e qytetarëve ka hyrë në ditën e 14 këtë të shtunë, tubime janë mbajtur edhe në diasporën e largët, Australi dhe Irlandë.

Shqiptarët janë mbledhur në kryeqytetin e Irlandës, Dublin, për të protestuar kundër qeverisë së Edi Ramës dhe dorëheqjen e tij.

Me pankarta në duar dhe thirrjet për largimin e Ramës, diaspora shqiptare është mbledhur në kryeqendrën e Irlandës, ndërsa pranë tyre qëndrojnë dhe fëmijët që i japin më shumë hijeshi protestës së shqiptarëve.

Ndonëse larg fizikisht, shqiptarët jashtë vendit i janë bashkuar shpirtërisht kësaj kauze.

Qytetarët po denoncojnë me forcë mungesën e transparencës për të ashtuquajturat investime strategjike, të cilat po akuzohen se rrezikojnë një biodiversitet të rrallë dhe po tjetërsojnë pronat publike dhe private për interesa krejtësisht personale.

Megjithatë, kjo revoltë shtrihet shumë më gjerë se mbrojtja e mjedisit, ajo vjen si një reagim i ashpër ndaj një sërë problemesh kritike sociale dhe ekonomike.

“Ne jemi larg fizikisht, por këto ditë, më shumë se kurrë, ne kemi qenë me mendje dhe zemër atje në vendin tonë. Dua të shpreh mbështetjen dhe admirimin tim për të gjithë ata të rinj, studentë, familjarë, fëmijë të vegjël dhe prindër, të cilët na kujtuan dhe një herë se Shqipëria ka zot, dhe zoti i saj janë shqiptarët. Zëri i këtij populli, i njerëzve tanë më të mirë, kanë dalë çdo ditë pa u trembur dhe pa u lodhur, të thonë fjalën e tyre kundër shkatërrimit të natyrës, kundër shkatërrimit të natyrës, mungesës së transparencës për të ashtuquajturat investime strategjike, dhe zaptimit të pronave publike dhe private për interesa personale të zaptuesve në dëm të popullit. Kam ndjekur këto ditë shqetësimin e madh e të drejtë të qindra mijëra shqiptarëve, për mënyrën se si po investohet në zonën e mbrojtur të Nartës, rrezikun e ekuilibrit të një biodiversiteti të rrallë të natyrës. Por jo vetëm kaq. Zaptimi i pronave në Zvërnec dhe në Vlorë ka qenë vetëm pika që përmbysi gotën. Populli është revoltuar dhe është ngritur në protestë sepse për dekada me radhë politika na ka marrë frymën me padrejtësitë që bëhen çdo ditë. Kjo revoltë po vlon gjatë nga zemërimi, teksa dëgjon protestuesit një nga një të çohen të flasin për hallet e popullit tonë që s'kanë të sosur. Varfërinë e tejskajshme, pensionet e rrogat e ulëta, papunësinë, korrupsionin dhe vjedhjet e vazhdueshme dhe të paimagjinueshme, çmimet e larta të ushqimeve, gjendjen e papranueshme të spitaleve, problemet në drejtësi dhe në arsim. Lista vazhdon. Të rinjtë e Tiranës nisën këtë revolucion të bukur dhe paqësor, që shumëkush e kishte ëndërruar dhe pyeste veten se përse nuk po ndodh akoma, duke parë politikën e cila gjatë këtyre viteve është përpjekur me të gjitha mënyrat t'ia ulë kokën popullit, ta nënshtrojë, ta zvogëlojë, ta mpië nga reagimi dhe nga kryengritja, shkurt ta bëjë për budalla. Por ja që nuk ia dolën dot, sepse të rinjtë treguan forcën e tyre dhe e gjetën kurajon për të sjellë zgjimin e opozicionit që na mungonte prej kohësh. U bashkuan dhe sollën një uragan që nuk ndalet. Secili prej nesh që është sot në këtë shesh dhe kudo në botë, për të protestuar për Zvërnecin dhe për një Shqipëri të re, e di që çdo njeri nga ne ka vlerë, dhe po të bëhemi bashkë, asgjë nuk mund të na ndalë. Me këtë frymë të jashtëzakonshme dhe të bashkuar, do hedhim hapat drejt një të ardhme më të mirë. Ku ngrihet zëri për padrejtësitë dhe ku politika do u nënshtrohet para përgjegjësisë për vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetët tona. Dhe ne po i themi sot se po, Shqipëria bëhet, me këta të rinj, të cilët po bëhen shembulli më i mirë i qytetarisë dhe i demokracisë që po tregojnë me këto protesta. Dhe ne jemi këtu t'i tregojmë të vjetrës se s'ka më vend për të, duke parë shkatërrimin që ka lënë pas, dhe t'i hapim rrugë të resë, që vendi ynë të lulëzojë siç i ka hije, dhe bijtë e saj që ndodhen jashtë të mund të kthehen në atdheun e tyre”, u shpreh një pre qytetareve që protestoi në Dublin.