Protesta qytetare/ Berisha: Çdo shqiptar i vetëdijshëm për këtë situatë, të japë ndihmën dhe kontributin e tij
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së Sali Berisha iu përgjigj një qytetari duke theksuar mbështetjen për protestat qytetare dhe nevojën për angazhim të gjerë publik në këtë proces, ndërsa vlerësoi se çdo shqiptar i vetëdijshëm për situatën aktuale duhet të kontribuojë për suksesin e tyre.
Berisha u ndal edhe te perspektiva e ndryshimit politik, duke u shprehur se protestat kanë potencial të madh dhe synojnë të çojnë drejt një qeverie kujdestare që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa ftoi veçanërisht të rinjtë që t’i bashkohen lëvizjes opozitare.
Muharrem Kurti: Doktor përshëndetje. Uroj që të udhëtoni sa më shpejt drejt Amerikës. Pyetja ime është: Protestat siç duket do ta rrëzojnë regjimin e Ramës. Doktor, ju dhe stafi juaj duhet të keni qeverinë në hije, që edhe elektorati ta dijë se nga kush do të qeveriset. Faleminderit.
Sali Berisha:
Muharrem, në qoftë se më pyet mua lidhur me udhëtimin, unë ju falënderoj por natyrisht nuk kam një axhendë të shpejtë, por pres me kënaqësi kur të organizoj një udhëtim timin në këtë vend të madh mik.
Por meqenëse ma the këtë, prapë po të rikujtoj. Me datën 13 mars të '91-shit, unë kam udhëtuar për herë të parë drejt Shteteve të Bashkuara.
Departamenti i Shtetit dërgoi një person që të na shoqëronte, të na merrte, të na shoqëronte për të qenë të pranishëm në ceremoninë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, së bashku me mikun dhe të ndjerin Gramoz Pashko.
Por gjatë fluturimit në avion, më është dukur vetja më i fatlumi i shekullit.Sepse tashmë kryetari i opozitës shqiptare, udhëtimin e parë ndërkombëtar, po e bënte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që udhëheqja komuniste e kishte bërë drejt Moskës.
Pra, unë po e bëja drejt aleatëve, miqve të mëdhenj natyralë të shqiptarëve, ata e kishin bërë drejt armiqve të kombit shqiptar. Kështu që, nuk është lëkundur asgjë në ndjenjat e mia ndaj kombit të lirisë, kombit të madh të lirisë dhe vendit mik. Këto desha të shtoj me këtë rast.
Lidhur me protestën, e drejtë është ajo, Muharrem. Cilido që pyet për shanset e kësaj proteste duhet të pyesë veten, miqësisht e shtoj: çfarë po bëj unë për suksesin e saj?
Unë ju them që shanset e saj për sukses janë jashtëzakonisht të mëdha. Por përsëri ju them që për të arritur suksesin që meriton, duhet që çdo shqiptar i vetëdijshëm për këtë situatë, të japë ndihmën dhe kontributin e tij.
Ftoj sidomos të rinjtë e zonave rurale, të cilët lodhen gjatë ditës, të cilët gjenden gjatë ditës, përsëri, pas punëve që bëjnë, le të vërshojnë drejt Tiranës, t'i bashkohen kësaj proteste se ju garantoj, i garantoj se është investimi më i madh që bëjnë për të ardhmen e tyre.Zhvillimet i ndjekim me shumë interes. Nuk është një proces, siç e vlerësoj unë, e domosdoshme është nga kjo lëvizje t'i imponohet.
Shqipëria t'i imponohet një qeveri kujdestare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo, mendoj unë, duhet të jetë misioni se unë jam i bindur që ata janë qytetarë me shpirt demokrat, me shpirt demokratik, njerëz të rendit kushtetues, kështu që kuptohet që pushteti arrihet nëpërmjet votës së lirë.Dhe ky është shërbimi më i madh, Partia Demokratike ishte në protestë, meqenëse bulevardi është çdo ditë, ne u bëjmë thirrje qytetarëve, anëtarëve dhe mbështetësve tanë të shkojnë, por ne kemi të gjitha përgatitjet tona për çdo eventualitet.