Berisha: U ktheva vetëm që vendi të ketë një opozitë të vërtetë! Ripërtëritja është proces jetik për PD-në

Kryetari i PD, Sali Berisha tregoi arsyet që sipas tij e bënë të rikthehej sërish në krye të partisë më të madhe opozitare në vend.

Teksa u pyet nga qytetarët, mbi një plan konkret për ringritjen e PD, Berisha konfirmoi se rikthimi i tij u bë me qëllim që vendi të ketë një opozitë të vërtetë.

Sa i përket procesit të ripërtëritjes së PD, kryedemokari e cilësoi atë një proces jetik për vetë Partinë Demokratike.

Bashkëbisedimi:

Raif Beqiri: A keni një plan konkret për ringritjen e PD me persona të papërfolur dhe të konsumuar në vite, duke qenë se tani nuk rrezikohemi më që të hamë bar?

Sali Berisha: Raif, faleminderit për pyetjen. Në qoftë se e ke ndjekur Kuvendin, me qëllimin më të plotë, më të thellë dhe më të mirë, e quajtëm Kuvendi i Ripërtëritjes.

Një gjë duhet të them dhe duhet të biem dakord bashkë se këto demokrate e demokratë, besoj se jemi dakord, kaluan një kalvar të pamerituar që nuk e ka kaluar asnjë forcë politike në Evropë, ndoshta edhe më gjerë.

Dhe secili prej tyre mund të largohej nga rreshti, mund të thoshte se ose ç’më duhet mua, ose që unë jam tërhequr.

Por qëndruan, qëndruan me besimin se kauza që mbronin ishte kauzë e drejtë.

Dhe me besimin dhe bindjen se Shqipëria duhet të ketë opozitë të vërtetë.

Dhe do më lejoni të bëj një sqarim.

Dhe të jeni të sigurt që unë përpiqem t’u them të gjithë brendinë e shpirtit tim ato që kam.

Nuk jam kthyer në PD se më shpalli non-grata Antony Blinken, jo, përkundrazi, i kam thënë Lulzim Bashës, PD nuk do përzihet në asnjë çështje timen me administratën amerikane.

Si, tek, i thashë unë po. Unë nuk e dija se ai ishte nga Hoti, po i thashë a e di atë fjalën e hotjanëve, ndihma e Zotit, pushka e Hotit.

Dhe unë këtë betejë do ta bëj vetëm.

Ndaj dhe mos u përziej.

Tani pse ndryshova?

Se e pashë më vonë nga zhvillimi se ai ishte një kukull e kontrolluar në çdo anë.

Dhe pastaj unë, atë nuk mund ta pranoja kurrë.

Opozita është shtylla e sovranitetit të brendshëm të një kombi.

Në qoftë se opozita nuk është e vërtetë, shtylla e sovranitetit është e kalbur.

Ndaj dhe u ktheva.

U ktheva vetëm që të ketë vendi një opozitë të vërtetë.

Dhe këta figura ndoqën këtë linjë.

Tani, duke thënë këto, të garantoj se të gjithë ne jemi të vetëdijshëm ndaj dhe shpallëm Kuvendin tonë si Kuvendi i Ripërtëritjes.

Do ta pranojmë si një proces të pandalshëm dhe jetik.